Eliminatoret të suksesshme, kualifikimi në mars

19 nëntor 2019 | 10:38

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe ish-reprezentuesi, tash analist i futbollit, Genc Sermaxhaj, kanë dhënë vlerësimet maksimale për paraqitjen e “dardanëve” në eliminatoret për Kampionatin Evropian. Ata besojnë se Kosova në “Euro 2020” do të kualifikohet në muajin mars nëpërmjet Ligës së Kombeve. Kosova në gjysmëfinale takohet me Maqedoninë e Veriut në Shkup dhe, nëse arrin fitore, në finale përballet me fituesen e ndeshjes Bjellorusi – Gjeorgji.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i mbylli në pozitën e tretë, me 11 pikë të grumbulluara, kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2020”. Pavarësisht faktit se “dardanët” dështuan të kualifikohen, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se cikli kualifikues ishte i suksesshëm për Kosovën, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në eliminatore dhe se progresi i saj po vlerësohet nga të gjithë.

“E përmbyllëm një tjetër cikël të garave duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Progresi ynë po vlerësohet nga të gjithë. Pas suksesit në Ligën e Kombeve, ne bëmë paraqitje mahnitëse edhe në ciklin kualifikues për Euro 2020, duke bërë krenar tërë kombin dhe duke e lartësuar shtetin kudo ku jemi paraqitur”, ka thënë Ademi, i cili ka shtuar se nuk është skuadër e re përfaqësuese t’i arkëtosh 11 pikë në një grup me kombëtare me shumë traditë dhe shumë cilësi.

Kryetari Ademi ka thënë se “dardanët” kualifikimin do ta kërkojnë nëpërmjet Ligës së Kombeve. “Tani i gjithë përqendrimi ynë bartet te ‘play-off’-i Ligës së Kombeve, aty ku e kemi mundësinë tjetër për ta jetësuar ëndrrën. Uroj që futbollistët tanë gjatë kësaj periudhe të kenë shëndet dhe formë të mirë dhe në muajin mars të jemi të kompletuar për ndeshjen gjysmëfinale kundër Maqedonisë së Veriut. Kam besim të plotë se ky angazhim dhe entuziazëm në fund do të na shpërblehet me kualifikim në Evropian”, ka shtuar Ademi.

Paraqitjet e Kosovës i ka komentuar edhe analisti dhe trajneri i futbollit, Genc Sermaxha. Ky ka thënë për gazetë se “Dardanët” kanë bërë paraqitje të dinjitetshme përgjatë kualifikimeve, kurse është i bindur se do të kualifikohen në Kampionatin Evropian nëpërmjet Ligës së Kombeve.

“Kosova bëri paraqitje të dinjitetshme si vendëse, por edhe si mysafire, duke u treguar të gjithëve se për vetëm pak vite kemi arritur të krijojmë një përfaqësuese shumë të fuqishme me lojtarë të rinj e mjaft cilësorë. Në dy ndeshjet e fundit ndaj Çekisë dhe Anglisë nuk kemi bërë lojë të mirë e as nuk kemi arritur rezultat pozitiv, por shpresoj të jemi të vetëdijesuar dhe mos të bëjmë gabime për ndeshjet e marsit në Ligën e Kombeve, ku kemi mundësinë e fundit dhe shumë të mirë që edhe ne ta kapim trenin e fundit për Evropian”, ka thënë Sermaxhaj. “Këto eliminatore ishin mundësi e mirë për promovim të vendit tonë, sidomos mirëpritjen që ua bëmë ndaj anglezëve. Edhe paraqitjet tona ndaj kundërshtarëve të forta si Çekia e Anglia na kanë forcuar e na kanë dhënë përvojë të mirë që ngjarjeve të tjera me rëndësi të dimë si t’u qasemi. Duke parë moshën e lojtarëve dhe cilësinë kemi mundësi të kualifikohemi sepse jemi më të mirë se kundërshtarët që na presin”, ka deklaruar Sermaxhaj.

Ish-reprezentuesi i Kosovës e lavdëroi edhe një herë tjetër përzgjedhësin Bernard Challandes. “Çelësi i këtij suksesi është pa dyshim trajneri Challandes, sepse me përvojën dhe njohuritë që ai ka për lojën e futbollit, ka arritur të nxjerrë maksimumin nga këta lojtarë që ne kemi aktualisht”, ka përfunduar Sermaxhaj.

Rezultatet e Kosovës

Kosova-Bullgaria 1-1
Mali i Zi-Kosova 1-1
Bullgaria-Kosova 2-3
Kosova-Çekia 2-1
Anglia-Kosova 5-3
Kosova-Mali i Zi 2-0
Çekia-Kosova 2-1
Kosova-Anglia 0-4

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtaren…