25 vjet burgim për babain që vrau djalin e tij të mitur

30 janar 2019 | 15:54

Gjykata Themelore në Gjilan, Gani Bërnjashin e ka dënuar me 25 vjet heqje lirie, pasi është shpallur fajtor për vrasjen e djalit të tij, të miturit L.B.

Bernjashi akuzohej se më 24 maj 2018, pas dhunës që kishte ushtruar e kishte lënë pa shenja jete djalin e tij, 14 vjeçar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rastin e shqiptimit të dënimit dhe lartësisë së tij, gjykatësi Aziz Shaqiri, ka thënë se trupi gjykues i udhëhequr nga ai, ka marrë parasysh të gjitha rrethanat si ato lehtësuese dhe ato rënduese, me të cilat është dëshmuar nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, se i akuzuari Bernjashi, ka përgjegjësi esencialisht të zvogëluar, andaj, sipas tij, dënimi i shqiptuar është meritor, ashtu që i akuzuari nuk përjashtohet nga përgjegjësia penale.

Të dënuarit do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim nga 25 maji 2018, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Gani Bërnjashi, më 23 maj 2018, në shtëpinë e tij në fshatin Karaqevë e Poshtme, lagjja e “Bërnjashëve”, në Kamenicë në mënyrë mizore dhe me dashje, e kishte privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin e mitur L.B.

Aktakuza thotë se i akuzuari Bërnjashi, fillimisht kishte kërkuar nga i ndjeri sqarime lidhur me mungesën e të hollave në shumën prej 1.500 euro, dhe pasi nuk kishte marrë përgjigje për këtë, kishte filluar të përdorë forcën ndaj tij duke e goditur së pari më një shufër plastike-gyp uji, e pastaj me një shkop druri në formë “otllogie”, në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, këto goditje kishin qenë herë pas here, përkatësisht me disa ndërprerje dhe atë që nga ora 18:00 e deri diku rreth orës 23:00, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Sipas prokurorisë pasi i akuzuari kishte vërejtur se i ndjeri po i humbiste shenjat e jetës, e kishte thirrur vëllain e tij Muharrem Bërnjashin, dhe i kishte kërkuar që ta dërgojë në spital, duke i thënë kinse L.B, ishte i lënduar nga aksidenti që kishte pësuar me motoçikletë, dhe me të arritur në Kamenicë, mjeku kishte konstatuar se viktima ishte pa shenja jete.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Z Mobile Prishtina të mërkurën me fillim nga ora 18:00…