Banorët e “Ulpianës” kundër projektit “Prishtina 2030 Legacy”

11 nëntor 2026 | 08:35

Banorët e lagjes “Ulpiana” në Prishtinë janë shprehur kundër projektit “Prishtina 2030 Legacy”, sipas të cilit parashihet që në këtë lagje të ndërtohet një parking nëntokësor si dhe të krijohen hapësira të gjelbra dhe sportive.

Sipas tyre, fontana me të cilën identifikohet kjo lagje, nuk duhet të rrënohet në asnjë mënyrë.

Banori i kësaj lagjeje, Musli Musliu, në bisedë për Ekonomia Online ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj projektit në fjalë, duke theksuar ai nuk është i përshtatshëm për këtë lokacion.

“Për besë, mua ma merr mendja që projekti si ide nuk është aspak i qëlluar, për shkak se është vend i ngushtë dhe fontana ka një histori goxha të gjatë. Nuk ma merr mendja që do të dilte i suksesshëm mes këtyre banesave, kështu që nuk kisha thënë ta prishim bukurinë natyrore që e ka fontana”, tha Musliu.

Në të njëjtën linjë me Musliun është edhe banori tjetër i kryeqytetit, Ali Gashi, i cili thotë se fontana nuk duhet të lejohet të prishet në asnjë mënyrë.

“Fontana ekziston prej se jam në Prishtinë, në vitet e 60-ta. Fontana mu prish? Jo. Nuk është projekt i duhur nëse prishet fontana. Nëse fontana nuk mbetet në këtë vend ku ka qenë, ku jam rritur në Prishtinë, atëherë është gabim. Nëse projekti nëntokësor është përreth fontanës, atëherë është më në rregull”, theksoi Gashi.

Ndërsa për Haxhi Bekteshin, fontana dhe hapësira e gjelbëruar në Ulpianë duhet të ruhen, pasi, sipas tij, Prishtinës i mungojnë hapësirat e tilla.

“Fontana është histori dhe është i vetmi vend në Prishtinë që ka gjelbërim. Është Ulpiana, nuk ke tjetër gjelbërim, gjithkund tjetër janë të ngulfatura. Unë jam për të mos ndërtuar, për të mos e prishur këtë lloj bukurie natyrore”, shtoi Bekteshi.

Megjithatë, ndryshe nga banorët e lartpërmendur, Enver Makolli thotë se ky projekt është shumë i qëlluar dhe i mirëpritur. Ai ritheksoi se e rëndësishme është që të punohet edhe më shumë, në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mira.

“Projekti është shumë i mirë dhe i qëlluar. Presim që ambienti të jetë më i mirë, pastërtia të jetë në nivel. Sa i përket projektit, është shumë i qëlluar. Duhet të punohet më shumë, jo ngadalë”, theksoi Makolli.

Ndryshe, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se “Fontana” dhe hapësirat përreth saj nuk do të preken në kuadër të projektit “Prishtina 2030 Legacy”.

“Prishtina 2030 Legacy”, është një projekt i ri, për të cilën, në një seancë të jashtëzakonshme, të premten, Kuvendi Komunal i Prishtinës, ka caktuar lokacionin “Te Fontana”.

“Fontana dhe hapësira përreth saj nuk do të preken! Fontana mbetet në zemër të lagjes, aty ku ka qenë gjithmonë. Simbol e krenari e Ulpianës. Parkimi bëhet nën tokë, nën zonën e fontanës. Kjo do të krijonte më shumë vende parkimi, ndërsa hapësirat ku sot parkohen kerret do t’ua kthenim banorëve me më shumë gjelbërim e fusha sportive”, shkroi ai në Facebook.

Rama ka thënë se ndërtimi i objektit të banimit propozohet vetëm nëse nevojitet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Banorët e “Ulpianës” kundër projektit “Prishtina 2030 Legacy”

Banorët e “Ulpianës” kundër projektit “Prishtina 2030 Legacy”
Banorët e “Ulpianës” kundër projektit “Prishtina 2030 Legacy”
Banorët e “Ulpianës” kundër projektit “Prishtina 2030 Legacy”

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një ushtar i ushtrisë amerikane është arrestuar në Britaninë e…