25-vjetori i intervenimit të NATO-s, Haradinaj: Aleanca ishte vendosur në mbrojtje të popullit të Kosovës

22 mars 2024 | 15:02

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka marrë pjesë në konferencën organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, me temë; “Hartimi i Rrugës së Kosovës: 25 vjet pas operacionit të Forcave Aleate dhe synimi për anëtarësim në NATO”.

“Bashkëpunimi ynë me NATO-n nisi në kohërat më të vështira për popullin tonë, në marsin e vitit 1999. Kjo aleancë politiko-ushtarake u vendos në mbrojtje të popullit të Kosovës dhe vazhduan me misionin e tyre edhe pas çlirimit, duke ofruar ndihmë në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë dhe duke qenë garantues i sigurisë së vendit”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Më tutje, Haradinaj ka thënë se diplomacia e Kosovës sado që e re, ka dhënë shembuj të krijimit të miqësive dhe roli i tyre është shumë i rëndësishëm në arritjen e synimeve të Kosovës si shtet.

“Mirënjohës për punën e ambasadorëve, konsujve dhe stafeve diplomatike. Republika e Kosovës ju falënderon”, ka shkruar Haradinaj.

Më 24 mars bëhen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.

Marrëveshje është pasuar me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Distria Krasniqi fitoi medaljen e bronztë në Grand Slamin e…