27 VJET NGA ÇLIRIMI NË GJYKIM – LUFTA ÇLIRIMTARE DHE NARRATIVAT E SAJ NË GJYKATË

11 qershor 2026 | 21:55

Shkruan: Prof.Dr.Sabit Syla, Instituti i Historisë – Prishtinë

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqëson një moment themelor në historinë e Kosovës dhe në konsolidimin e identitetit kombëtar shqiptar. Në këtë drejtim, Familja Jashari përbën një rast unik në histori, duke nxjerrë një plejadë të tërë luftëtarësh të devotshëm të çështjes kombëtare. Ky është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të një familjeje ndaj një ideali të madh, e cila në qendër të veprimtarisë së saj ka pasur lirinë e popullit të vet, si sublimim të synimeve tona të kahershme shekullore. Në Kosovë, gjatë viteve 1990, dhuna dhe terrori shtetëror serb ishin të pranishëm në të gjitha sferat e jetës politike, ekonomike, shoqërore, arsimore dhe kulturore. Në këto rrethana, krahas subjekteve legale politike, nisën të formoheshin edhe organizimet e para ushtarake me qëllim çlirimin e Kosovës përmes luftës së armatosur. Kjo e fundit nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të dhunës sistematike dhe të shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të njeriut nga regjimi serb.

Më 18 qershor 1990, nën udhëheqjen e Adem Jasharit, Jakup Nures e të tjerëve, u formua njësiti i parë gueril i armatosur me emërtimin “Ushtria e Kosovës” (UK). Çlirimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare, si dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë, përbënin objektivat kryesore të këtij formacioni ushtarak. Disa pjesëtarë të këtij organizimi, të udhëhequr nga Adem Jashari, më 3 nëntor 1991 shkuan për stërvitje në Akademinë Ushtarake në Shqipëri. Grupi u kthye më 8 dhjetor 1991 dhe filloi organizmin strukturor, njëkohësisht duke ndërmarrë edhe aksione kundër forcave policore serbe. Më 30 dhjetor, forca të shumta policore, të mbështetura edhe nga helikopterë, sulmuan familjen Jashari, e cila iu kundërpërgjigj sulmit. Brenda një kohe të shkurtër, kësaj familjeje iu bashkëngjitën edhe disa bashkëluftëtarë të tjerë nga Prekazi dhe nga fshatra të tjera të Drenicës. Konfrontimet qenë të ashpra dhe vazhduan deri në orët e vona të mbrëmjes, kur Adem Jashari me formacionin e tij arriti ta shpërthente rrethimin. Këto luftime shënuan kushtrimin e parë të luftës çlirimtare në Kosovë. Gjatë viteve 1990-1993, njësitë e para të grupeve guerile çlirimtare ndërmorën një varg sulmesh kundër forcave policore serbe si formacion ushtarak dhe politik me emrin Ushtria e Kosovës (UK). Në vitin 1994, organizimi mori emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila gradualisht u zgjerua dhe u konsolidua në të gjithë territorin e Kosovës, duke formuar dhe shtrirë njësitë e saj në pjesë të ndryshme të vendit.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, shënoi epokën e fundit të shekullit XX në planin kombëtar, duke qenë promotore jo vetëm në Kosovë, por edhe tek shqiptarët në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për faktin se ngjarjet reflektuan në formë zinxhirore. UÇK u formua si një forcë mbrojtëse e domosdoshme për të garantuar sigurinë dhe lirinë e popullsisë shqiptare. Mekanizmat ndërkombëtarë dështuan të garantonin ndaljen e dhunës sistematike qe shteti serb ushtronte mbi shqiptarët madje edhe respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Për më tepër nuk arritën as që ta vinin para përgjegjësive Sllobodan Millosheviqin për krimet në Bosnje; ai nuk u ndoq me kohë, duke krijuar kështu një precedent të njëanshëm në drejtësinë ndërkombëtare dhe duke dëshmuar rëndësinë e kuptimit të kontekstit kur vlerësohen veprimet e UÇK-së. Kjo forcë lindi nga nevoja për të mbrojtur jetën e civilëve, të drejtat e tyre themelore dhe territorin nga një shtypje sistematike. Masakrat në qytete dhe fshatra, dhuna ndaj civilëve dhe dëbimet masive janë dokumentuar ndërkombëtarisht, të cilat përbënin një kërcënim ekzistencial për shqiptarët. Në këtë kontekst ndeshemi edhe me dhembjen e vazhdueshme për bijtë e rënë në luftë, për civilët e masakruar dhe për zhvendosjen “biblike” të mijëra shqiptarëve, si dhe për shkatërrimin e shtëpive, të pronave dhe të çdo gjëje shqiptare. Por, njëkohësisht, ndeshemi edhe me heroizmin e një populli që mori rrugën e tij, pa kthim, drejt lirisë dhe pavarësisë në vigjilje të shekullit XXI.

Lufta çlirimtare me 1998/99, pati si pikë reference çlirimin kombëtar,  ndikoi thellësisht në diplomacinë preventive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të fuqive evropiane. Lufta e armatosur e shndërroi Kosovën në një çështje mbarëkombëtare dhe e vendosi, si asnjëherë tjetër në historinë kombëtare të shqiptarëve, në fokusin e vëmendjes botërore. Ajo, jo vetëm që e tronditi pushtetin serb, por nuk i la indiferente as shtetet e ndryshme të botës. Në këtë drejtim, një nga ngjarjet që i dha popullit shqiptar një dimension të ri dhe që zë vend të veçantë në histori është padyshim UÇK-ja, e cila e fitoi qytetarinë në gjirin e popullit të vet dhe u bë pjesë e narrativës të së mirës kundrejt së keqes, një raport që kishte filluar të ndryshonte në favor të shqiptarëve, pavarësisht keqtrajtimit dhe keqinformimit shekullor nga propaganda serbe. Lufta çlirimtare, në aspektin ndërkombëtar, e ballafaqoi opinionin botëror me më shumë se një vend si Kosova, më shumë se me një shtet si Serbia, e madje më shumë se me një rajon të vetëm, sepse ajo dalloi informimin e drejtë nga dezinformimi i qëllimshëm, të vërtetën nga mashtrimi dhe ndikoi në ndërtimin e një imazhi pozitiv për një popull që luftoi për lirinë dhe pavarësinë e vendit të vet – një qëllim që edhe u arrit. E veçanta e kësaj lufte mbështetet mbi madhështinë e dëshmorëve, heronjve dhe martirëve, si dhe mbi ish-udhëheqësit që sot po mbahen në Hagë – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerë, të cilët me veprën dhe sakrificat e tyre u bënë themeli i lirisë së shqiptarëve dhe simbol i vetëdijes historike, ndërgjegjes, qëndresës dhe lirisë së gjithë shqiptarëve. Nderimi dhe vlerësimi i veprës së tyre që luftuan për atdheun përbën një kufi të qartë moral, një matës i dallimit midis të mirës dhe të keqes, dhe simbolizon vazhdimësinë e përgjegjësisë historike të çdo brezi për ruajtjen e lirisë, dinjitetit dhe sovranitetit kombëtar.

Me ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale me seli në Hagë kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerë – po ndodh trajtimi i padrejtë i luftës çlirimtare, i drejtuar ekskluzivisht kundër organizimit më të suksesshëm ushtarak të fund shekullit XX, që luftoi për lirinë e një populli të shtypur dhe të robëruar. Lufta çlirimtare ishte e imponuar, e domosdoshme dhe e drejtë; ajo ishte e drejtuar kundër një pushtuesi që kreu gjenocid dhe spastrim etnike në Kosovë. Lufta e UÇK-së u zhvillua në përputhje me vlerat themelore të lirisë së popullit shqiptar dhe me parimet themelore të lirisë dhe ekzistencës njerëzore të çdo populli. E drejta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nënkupton edhe mbrojtjen e legjitimitetit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, mbrojtjen e legjitimitetit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, por edhe sakrificën fizike, shpirtërore e morale të shumë të rënëve në Kosovë.

Sot, çdo përpjekje për ta dënuar UÇK-në si një organizatë kriminale përbën një deformim të rëndë të realitetit historik dhe juridik, sepse injoron dhunën ekstreme që ushtronte shteti serb ndaj popullatës civile. Edhe ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, e zhvilluar brenda një kornize ndërkombëtare legjitime, ishte një reagim i domosdoshëm ndaj dhunës sistematike, spastrimit etnik dhe vrasjeve të civilëve. Bashkëpunimi i udhëheqësve të UÇK-së me strukturat ndërkombëtare ishte një zgjedhje strategjike mbrojtëse dhe ligjore, e orientuar drejt minimizimit të viktimave civile dhe shmangies së katastrofës humanitare. Ky bashkëpunim nuk mund të interpretohet si veprim kriminal, por si pjesë e legjitimitetit ndërkombëtar të një lufte çlirimtare. Çdo vendim që shkel këtë parim cenon drejtësinë dhe legjitimitetin e sistemit ndërkombëtar. Nëse përgjegjësia e tyre interpretohet si faj, atëherë e njëjta masë do të duhej të aplikohej edhe ndaj aktorëve ndërkombëtarë që vendosën dhe koordinuan ndërhyrjen ushtarake, pasi ata ishin pjesë e mekanizmave që legjitimuan strategjinë mbrojtëse dhe mbrojtjen e civilëve. Në këtë kontekst, gjatë një takimi të zhvilluar më 18 maj 1999 me kryeministrin britanik, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë, zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, vuri në dukje karakterin çlirimtar të kësaj strukture dhe theksoi se veprimtaria e saj ishte e drejtuar kundër forcave ushtarake dhe policore serbe, duke mohuar çdo përfshirje në vrasje të civilëve serbë. Përveç tjerash, Krasniqi nënvizoi se bashkëpunimi i UÇK-së me strukturat ndërkombëtare ishte një zgjedhje strategjike, mbështetëse dhe ligjore, si dhe një veprim i domosdoshëm.

Pas përfundimit të luftës, përfshirja e ish-udhëheqësve të UÇK-së në proceset politike është një fenomen normal në vendet që kalojnë nga lufta në demokraci. Kontributi i tyre në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës është i dokumentuar dhe i njohur ndërkombëtarisht. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 përbën një nga momentet më kulmore në historinë moderne të shtetformimit të saj. Ky akt ishte rezultat i një procesi të gjatë politik dhe institucional, i zhvilluar në koordinim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar dhe në përputhje me aspiratat historike të popullit të Kosovës për liri dhe shtetësi. Pas zgjedhjeve të vitit 2007 dhe formimit të institucioneve të reja shtetërore u krijuan parakushtet politike dhe institucionale për ndërmarrjen e këtij hapi historik. Në këtë proces një rol të veçantë luajtën figurat udhëheqëse të kohës, veçanërisht kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 17 shkurt 2008, kryeministri Hashim Thaçi shpalli Pavarësinë e Kosovës, duke paraqitur dhe artikuluar deklaratën historike përpara deputetëve të Kuvendit. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi drejtoi procedurën parlamentare dhe seancën në të cilën u miratua Deklarata e Pavarësisë me mbështetjen e gjerë të deputetëve, duke shënuar kështu kurorëzimin institucional të aspiratave shekullore të popullit të Kosovës për shtet të pavarur. Në perspektivën historike, këto figura përfaqësojnë një kapitull të rëndësishëm të procesit të shtetformimit të Kosovës, ku kontributi i tyre mbetet pjesë e rëndësishme e historisë dhe e kujtesës kolektive të Kosovës e më gjerë. Andaj, pavarësia dhe konsolidimi i Kosovës kanë fituar legjitimitet ndërkombëtar, dhe çdo dënim i padrejtë i ish-luftëtarëve të UÇK-së do të dëmtonte këtë proces, si dhe forcimin e demokracisë, duke përbërë një manipulim të qëllimshëm politik dhe historik.

Gjatë vitit 1998 pata rastin të kaloj kufirin së bashku me dy nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, duke përjetuar nga afër sfidat dhe sakrificat e asaj periudhe. Po të kishin rënë në atë periudhë, sot do të nderoheshin si dëshmorë dhe heronj të kombit. Ky fakt ngre një pyetje thelbësore: a mund të cenohet në mënyrë të padrejtë kujtimi dhe statusi i dëshmorëve dhe heronjve të tjerë që dhanë jetën për çlirimin e vendit dhe, në këtë kontekst, a mund të dëmtohet legjitimiteti i shtetit të pavarur të Kosovës? Në këtë kuptim, sot në Hagë nuk po gjykohen thjesht individë, por edhe liria jonë dhe e ardhmja e Kosovës. Nëse udhëheqësit e UÇK-së do të dënohen, kjo nuk do të prekte vetëm kujtimin dhe statusin e dëshmorëve dhe heronjve që dhanë jetën për çlirimin e vendit, por edhe themelet e shtetit të pavarur, stabilitetin e tij dhe konsolidimin e demokracisë. Çdo interpretim i njëanshëm i veprimeve të tyre përbën një kërcënim për lirinë tonë, për kujtesën historike dhe për të gjitha sakrificat që çuan në pavarësinë e Kosovës.

Drejtuesit dhe luftëtarët e UÇK-së ishin të motivuar nga idealet patriotike dhe shumë prej tyre janë ndër figurat kyçe të zhvillimit demokratik të Kosovës. Puna dhe kontributi i tyre janë njohur ndërkombëtarisht si një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin rajonal, si dhe për ndërtimin e një Kosove të pavarur dhe demokratike. Ata gëzojnë respekt të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar. Përpjekjet për t’i paraqitur si “organizatë kriminelë” janë pjesë e fushatave të qëllimshme për diskreditim politik dhe nuk mbështeten në baza të qëndrueshme. Roli i udhëheqësve të UÇK-së nuk mund të njolloset nga analiza të njëanshme apo interpretime spekulative. Historia, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe parimi i përgjegjësisë individuale mbrojnë integritetin e saj si lëvizje çlirimtare dhe kontributin e udhëheqësve të saj në ndërtimin e një Kosove të pavarur dhe demokratike. Çdo akuzë që nuk respekton këto parime juridike duhet të marrë parasysh edhe rolin dhe përgjegjësinë e aktorëve ndërkombëtarë që vendosën dhe koordinuan kornizën legjitime për mbrojtjen e civilëve. Vetëm një qasje e tillë mund të sigurojë drejtësi reale dhe të ruajë integritetin e standardeve ndërkombëtare.

Historia e UÇK-së dhe veprimet e udhëheqësve të saj duhet të kuptohen brenda kontekstit të mbrojtjes së të drejtave dhe jetës së shqiptarëve të Kosovës. Bashkëpunimi me NATO-n dhe me strukturat ndërkombëtare, si dhe respektimi i parimeve dhe trajtimi i drejtë i çështjeve juridike, përbëjnë elemente thelbësore në kuptimin dhe interpretimin e narrativës historike të luftës. Çdo gjykim që nuk i merr parasysh këto rrethana, ose që shmang standardet ndërkombëtare të drejtësisë, mbetet i paqëndrueshëm dhe i paplotë në analizën e tij. UÇK-ja duhet të shihet në dritën e rrethanave historike dhe politike të kohës. Ajo ishte një forcë legjitime çlirimtare, e lindur nga nevoja për të mbrojtur të drejtat dhe jetën e një populli të shtypur. Kjo e vërtetë nuk mund të errësohet dhe as të njolloset nga akuza të njëanshme, të motivuara politikisht apo etnikisht, që shtrembërojnë realitetin. Ky kontekst është thelbësor për të kuptuar rolin e saj në luftën për çlirim dhe në krijimin e shtetit të Kosovës.

Shtojcë: Më poshtë po e paraqesim të plotë dokumentacionin e ruajtur në Arkivin Kombëtar të Londrës

Dokumenti, faqe 1

Dokumenti, faqe 2

Dokumenti, faqe 3

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpend Limoni, Hagë Askush në Hagë, në qendrën “Humanity Hub”…