28 vjet mall dhe krenari…, familja dhe bashkëluftëtarët përkujtojnë Heroin e Kosovës, Hysen Zogjani
Në 28-vjetorin e rënies heroike të Heroit të Kosovës, Hysen Zogjani, familjarë, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta u mblodhën për të nderuar jetën dhe veprën e tij pranë shtatores së heroit. Me këtë rast, vajza e Heroit të Kosovës, Arbëri Zogjani-Hiseni, ka bërë të ditur se në ceremoninë përkujtimore morën pjesë bashkëveprimtarët e Hysen Zogjanit nga vitet më të vështira të rezistencës, ndër ta Azem Syla, Xhavit Haliti, Nait Hasani dhe Bislim Zogaj, si dhe përfaqësues të OVL-UÇK-së së Fushë Kosovës.
“Sot, në përvjetorin e rënies së babait tim dëshmor, Hysen Zogjani, pritëm për vizitë dhe nderim pranë shtatores së tij bashkëveprimtarët e viteve më të vështira të rezistencës. Ishte një ditë e mbushur me emocione, kujtime dhe krenari. Shokët e tij të luftës ndanë me ne rrëfime nga veprimtaria e përbashkët në celulat e para të UÇK-së, kujtime për sakrificat, përkushtimin dhe idealin e babait tim për lirinë e atdheut”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, rrëfimet e bashkëluftëtarëve e bëjnë edhe më të fuqishëm kujtimin për sakrificën dhe veprën e dëshmorëve të kombit.
“E kush mund të flasë më mirë për një dëshmor sesa shokët që kanë ndarë me të rrugën e sakrificës, rrezikun, idealin dhe betimin për liri? Fjalët e tyre na bënë të ndiejmë edhe më thellë peshën e veprës së tij dhe përgjegjësinë për ta ruajtur gjallë kujtimin e tij”, është shprehur Zogjani-Hiseni.
Ajo ka falënderuar të gjithë të pranishmit për nderimin dhe respektin e treguar ndaj figurës së babait të saj. “Krenarë përjetë me jetën, veprën dhe sakrificën tënde. Hero i Kosovës, Hysen Zogjani. Lavdi e përjetshme”, ka përfunduar ajo.



