Nata e fundit e Prishtinës në karantinë, me shi (Video/Foto)
Sonte është nata e 21-të dhe e fundit e Prishtinës në karantinë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se sonte është nata e pestë në Prishtinë pa raste të reja me Covid-19.
Ai ka falënderuar veçanërisht policët që qëndruan për tri javë në pikat hyrëse-dalëse të Prishtinës në ndërrime nga 12 orë.
“Dita e pestë në Prishtinë pa raste të reja (0). Sonte u hoq karantina. Masat e tjera mbesin përfshi kufizimin e lëvizjes në vetëm 90 minuta në ditë. Ende kujdes sepse në krejt Kosovën 10 raste të reja. Por, sonte një falënderim i veçantë për policët tanë që qëndruan për tre javë në pikat hyrëse-dalëse të qytetit të Prishtinës në ndërrime nga 12 orë. Faleminderit që u kujdesët për ne. Jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar sonte edhe për dhjetë raste të reja me Covid-19 dhe për 38 raste të shëruara nga kjo pandemi, raporton “Epoka e re”.
Duke marrë për bazë rezultatet e gjashtë ditëve të fundit, lajm i mirë është se po vazhdon të bie numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë si dhe po rritet numri i të shëruarve nga kjo pandemi.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, para dy ditësh ka prezantuar masat e reja ndaj Covid-19.
Nga data 4 maj, do të fillojë lehtësimi gradual i masave të izolimit, të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Lehtësimi i masave do të zhvillohet në tri faza.
Faza e parë përfshin periudhën nga 4 maji deri më 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.
Sipas tij, nga 4 maji qytetarët do të mund të lëvizin më shumë, nga 1.5 orë sa është koha e lejueshme aktualisht – në tri orë në dy orare, paradite dhe pasdite.
Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.
Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.
Deri më tani numri i të infektuarve me Covid-19 në Kosovë ka shkuar në 823.
Numri i të shëruarve ka arritur në 336, kurse 22 pacientë kanë vdekur si pasojë e kësaj pandemie.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 2 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 3.458.155 raste të Covid-19 dhe 243.213 raste të vdekjes.
Më poshtë keni videot dhe fotot të realizuara sonte pas orës 22:30 në Prishtinë nga ekipi i “Epokës së re”:
/Epoka e re/