5 dizajnerë shqiptarë në “DIALOG” – ekspozitë e madhe ndërkombëtare e posterit në Poloni
Sonte, në Galerinë BWA në Sieradz të Polonisë, nis një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të dizajnit grafik dhe posterit, e titulluar “Dialog – I International Poster Exhibition”, një ekspozitë që shënon një moment të veçantë në historinë 50-vjeçare të Byrosë së Ekspozitave të Artit (BWA) në këtë qytet.
Në këtë ekspozitë prestigjioze do të marrin pjesë 87 artistë nga 20 vende të botës, të cilët do të prezantojnë gjithsej 115 postera artistikë, duke sjellë në një hapësirë të vetme një panoramë të gjerë të mendimit bashkëkohor vizual dhe të komunikimit grafik ndërkombëtar.
Në këtë ngjarje marrin pjesë gjithashtu edhe artistë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke dëshmuar prezencën e fuqishme të rajonit në skenën ndërkombëtare të posterit. Sipas kuratorit të ekspozitës, dizajnerit polak Marcin Grabia, “Dialogu i Parë Ndërkombëtar i Posterit” synon të krijojë një komunikim të thellë mes publikut dhe veprave artistike përmes grafikës, tipografisë, traditave kulturore, simboleve dhe gjuhës vizuale. “Së shpejti do të angazhoheni përmes grafikës, tipografisë, traditave vizuale dhe kulturore, diversitetit, simboleve dhe gjuhës vizuale.
Do të jetë gjithashtu – shpresoj – një dialog midis jush dhe vetes,” – thekson Marcin Grabia. Ekspozita hapet sonte, më 16 maj 2026, në kuadër të European Night of Museums, në ambientet e Galerisë BWA në Sieradz, me adresë ul. Kościuszki 3, duke filluar nga ora 18:00, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor 2026.
Kjo pjesëmarrje përbën një tjetër sukses ndërkombëtar për dizajnerët grafik shqiptar, të cilët prej vitesh përfaqësojnë Kosovën në ekspozita, bienale dhe festivale të posterit në shumë vende të botës, duke kontribuar në promovimin e artit grafik dhe kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.




