Afrim Osmanaj, kandidati më serioz për të marrë drejtimin e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani

16 maj 2026 | 12:16

Në prag të Kuvendit Zgjedhor të Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani (FFSHGJ), Afrim Osmanaj po shihet si kandidati më seriozë për të marrë drejtimin e këtij institucioni sportiv që bashkon klubet dhe komunitetin shqiptar në Gjermani.

Me një angazhim të gjatë në sport dhe në jetën komunitare, Osmanaj vjen në këtë garë me një profil të ndërtuar mbi përvojë organizative, përfshirje në futbollin amator dhe profesional, si dhe aktivitet të vazhdueshëm në mbështetje të talenteve të reja shqiptare në diasporë.

Afrim Osmanaj jeton dhe vepron në Heilbronn – Bad Friedrichshall, ku prej vitesh është i angazhuar në fusha të ndryshme të jetës sportive dhe shoqërore. Ai ka qenë i lidhur ngushtë me klubin FC Drita Kosovë Kornwestheim, ku fillimisht ka kontribuar si aktivist dhe përkrahës, ndërsa në vitet e fundit ka mbajtur edhe pozitën e presidentit të klubit.

Paralelisht, ai është i përfshirë edhe në mbështetjen e futbollit lokal gjerman, përmes angazhimit si sponsor dhe përkrahës i klubit FSV Bad Friedrichshall, duke dëshmuar një qasje të gjerë në zhvillimin e sportit në nivel lokal dhe komunitar.

Në nivel më të lartë sportiv, Osmanaj ka qenë gjithashtu i lidhur si bashkëpunëtor dhe sponsor me klubin e njohur gjerman TSG 1899 Hoffenheim.

Ai është gjithmonë afër futbollit dhe Kombëtares së Kosovës, duke ndjekur dhe mbështetur zhvillimin e talenteve dhe duke i ofruar ata tek Kosova.

Përveç angazhimit sportiv, Afrim Osmanaj është edhe biznesmen i suksesshëm, duke udhëhequr një nga kompanitë më stabile dhe me reputacion në rajonin ku jeton dhe vepron. Ai ka ndërtuar një profil të fortë në fushën e biznesit dhe është i angazhuar edhe në struktura organizative të bizneseve shqiptare në Gjermani, ku mban pozitën e nënkryetarit të një unioni biznesor.

Osmanaj ka investuar gjithashtu në Istog dhe në Kosovë në përgjithësi, duke ruajtur një lidhje të vazhdueshme me vendlindjen.

Një pjesë e rëndësishme e angazhimit të tij lidhet me bashkëpunimin me Federatën e Futbollit të Kosovës, ku është përfshirë në përpjekjet për identifikimin dhe mbështetjen e talenteve shqiptare në Gjermani, Zvicër dhe më gjerë.

Në këtë drejtim, ai synon krijimin e një sistemi më të organizuar dhe të strukturuar për zhvillimin e lojtarëve të rinj, duke bashkëpunuar ngushtë me klubet dhe institucionet sportive, teksa ka lidhje edhe me Federatën Gjermane të Futbollit (DFB).

Në platformën e tij programore, Afrim Osmanaj e vendos theksin te bashkëpunimi më i madh ndërmjet klubeve, rritja e profesionalizmit dhe transparencës, si dhe forcimi i lidhjeve me institucionet sportive në Gjermani dhe Kosovë.

Ai ka projekte dhe plane që do ta ngrisin edhe më lartë futbollin e shqiptarëve në Gjermani, teksa ideja e tij është që ta forcohet një ekip, që do të konkurrojë për ligat më të larta të Bundesligës.

Një fokus të veçantë i jep rinisë, duke e parë atë si bazën kryesore të zhvillimit afatgjatë të futbollit shqiptar në Gjermani, por edhe si potencial për kombëtaren e Kosovës.

Bashkëpunimi i ngushtë me FFK-në dhe klubet shqiptare në Gjermani do të mundësojë që gjeneratat e reja të jenë më të organizuara, më të bashkuara dhe me më shumë mundësi për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare.

Afrim Osmanaj paraqitet si kandidat që vjen nga vetë terreni i futbollit dhe komuniteti i biznesit, me përvojë në drejtimin e klubeve, bashkëpunim me institucione sportive gjermane dhe lidhje të forta me klubet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës nga Vushtrria, Burim Bunjaku,…