5 vjet nga arrestimi i liderëve të UÇK-së, Hoxhaj: Padrejtësinë do ta kthejmë në drejtësi për Kosovën
Pesë vjet pas arrestimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka theksuar se qëndresa e tyre është dëshmi e sakrificës dhe dashurisë për atdheun.
Në një postim në “Facebook”, Hoxhaj ka shkruar se “padrejtësinë do ta kthejmë në forcë dhe drejtësi për UÇK-në dhe për Kosovën”.
Ai ka theksuar rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtimit dhe nderimit për sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së dhe rolin e tyre historik për shtetin e Kosovës.
“Po i vjen fundi kësaj gjykate. Pesë vjet pas arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, qëndresa e tyre mbetet dëshmi e sakrificës, vetmohimit dhe dashurisë për atdheun. Padrejtësinë do ta kthejmë në forcë dhe drejtësi për UÇK-në dhe për Kosovën. Falë popullit tonë dhe aleatëve tanë, historia e fitores mbetet e patjetërësuar”, ka shkruar Hoxhaj.



