50 vjet nga përdorimi i flamurit kombëtar
Sot janë bërë 50 vjet që nga lejimi nga sistemi jugosllav i përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar. Pikërisht më 6 tetor të vitit 1968, me ndryshimet e politikës të udhëheqjes së RSFJ-së, popullit shqiptar brenda kësaj federate i është lejuar përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar.
Deri te lejimi i përdorimit të flamurit kombëtar, gjatë kohës së Rankoviqit, shumë shqiptarë u dënuan me burg të rëndë, vetëm pse u është gjetur flamuri shqiptr pra shumë të rinj dhe të reja, fshatarë e qytetarë të Kosovës, edhe shqiptarë jashtë territorit të Kosovës, janë arrestuar, burgosur dhe torturuar nga regjimi komunist jugosllav i asaj kohe që udhëhiqej nga Josip Broz Tito.
Siq dihet gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe shqiptarët e Kosovës, me një urdhër të Shtabit Suprem të LNÇ-së për Kosovë, ishin lejuar që në ballë të aradhave partizane të valonte flamuri kuqezi.
Pastaj, menjëherë pas mbarimit të luftës, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë dokument zyrtar, flamuri ynë kombëtar ishte ndaluar të përdorej. Kështu, kjo ndalesë mbeti në fuqi deri në vitin 1966, pas rënies së Aleksandar Rankoviqit në Plenumin IV të Brioneve.
Në vitin 1967, delegacioni i Kosovës, i prirë nga Veli Deva, në takimin e parë me Titon, ndër të tjera kishte iniciuar edhe çështjen e lejimit të sërishëm të përdorimit të flamurit tonë kombëtar.
Zyrtarizimi i këtij lejimi u bë në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Socialiste të Kosovës, më 4 tetor 1968, në Prishtinë.



