61-vjeçari vret gruan e tij në Prizren

07 gusht 2019 | 11:14

Një grua është qëlluar për vdekje me një armë zjarri, nga bashkëshorti i saj.

Sipas njoftimit të Policisë rasti ka ndodhur të martën pas orës 23:00 në rrugën  “Hysni Morina” në Prizren, ku fillimisht është raportuar për plagosje e më pas mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës femër.

Njësitë e hetimeve dhe krim teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë.

Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshimti ka kryer veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’.

“Njoftohet se i dyshimti dhe viktima kanë qenë bashkëshortë. Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orë personi i dyshimtë B.V i lindur në vitin 1958”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtutjeshme hetimore, ndërkaq me rastin po merren njësitë e hetimeve rajonale në Prizren.

Prokuroria Themelore e Prizrenit sot do të kërkojë paraburgim për 61-vjeçarin, i cili mbrëmë e ka vrarë gruan e tij.

Në një përgjigje dërguar Insajderit, Prokuroria Themelore e Prizrenit konfirmon se vrasësi dhe viktima kanë qenë bashkëshortë, ndërsa thonë se nuk e dinë ende motivin e vrasjes.

“Mund të konfirmojmë se i dyshuari dhe viktima kanë qenë bashkëshortë, ndërsa motivi i vrasjes akoma nuk dihet. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Gjatë ditës pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtatë nga dymbëdhjetë klubet e Superligës së Kosovës në futboll…