Latifi kërkon respektim të orarit të punës nga punonjësit e administratës komunale

08 gusht 2018 | 11:19

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbajtur takim me të gjithë punonjësit e administratës komunale, me të cilët ka biseduar për respektimin e orarit të punës dhe angazhimin e tyre në kryerjen e punëve me më efikasitet.

Latifi gjatë takimit u ka kërkuar punonjëseve të administratës që ta respektojnë orarin e punës.

“Siç edhe ju e dini orari punës fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:00 përfshi këtu edhe pushimin nga ora 12:00 deri në orën 13:00. Bazuar në sistemin e vijueshmërisë së punonjëseve në punë, ka raste që punëtori vjen në punë pas orës 8:00 dhe del nga puna para orës 16:00. Ju njoftoj se ata punonjës, që nuk e respektojnë orarin e punës do të marrin vërejtje dhe sigurisht që nga muaji shtator do të fillohet me heqjen e mëditjeve nga paga e juaj”, ka thënë Latifi.

Ai ka shtuar se respektimi i orarit të punës do të ndikojë edhe në rritjen e efikasitetit, në kryerjen e punëve karshi qytetarëve.

“Ka ankesa nga ana e qytetarëve për mosprezencën tuaj në punë”, ka thënë Latifi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore e Gjakovës ka njoftuar përmes një komunikate për…