78-vjeçari nga Prishtina mashtrohet nga faqet online
78-vjeçari Qazim Bunjaku ia ka marrë dorën përdorimit të teknologjisë. Duke qenë në moshë, Bunjaku, të shumtën e herëve, blerjet i bën online.
Por jo pak herë ai është ndarë i zhgënjyer me mallin e porositur.
Herën e fundit, ai porositi mjaltë, i bindur se ajo do t’i ndihmojë në rritjen e imunitetit.
Për Kiksin ai tha që porositi mjaltin me hoje, por mjalti erdhi e hoje nuk ishte aty.
Që mjalti të ishte me hoje ai pagoi 5 euro më shumë sesa vlera reale e mjaltit normal, që ishte 20 euro.
Bunjaku për Kiksin pranoi që gabimi ishte edhe i tij, pasi që nuk e hapi paketimin para se të merrte porosinë.
I njëjti kishte provuar të kontaktonte faqen për të ndërruar produktin, por përgjigjet që kishte marrë ishin automatike.
Bunjaku ka rrëfyer për Kiks Kosova një tjetër histori mashtrimi përmes blerjes online.
78-vjeçari, i nxitur nga reklamat në rrjetet sociale se një lloj argjile ndikon në zvogëlimin e dhimbjeve reumatike, e porosit produktin, por që, sipas tij, u mashtrua edhe nga ta sepse nuk e vërejti kurrë efektin.
I zhgënjyer nga shitësit online, Qazimi filloi të bëjë antireklamë të produkteve, duke i paralajmëruar njerëzit nëpërmjet komenteve për mosefekt të produktit të humës e që më pas kishte marrë një kundërpërgjigje nga faqja.
Nga produktet online ishin mashtruar edhe qytetarë të tjerë që raportuan në Kiks.
Ata theksojnë që edhe pse në shuma të vogla, pjesa që i bën të brengosen është fenomeni i mashtrimit që po shtohet çdo ditë e më shumë nga këto biznese.