90 për qind e transaksioneve në Shqipëri bëhen me para të gatshme

05 nëntor 2020 | 10:37

Shoqata e Bankave i ka propozuar zyrtarisht institucioneve që të bëjnë të detyrueshme për të gjithë tregtarët në Shqipëri dhënien e mundësisë alternative të pagesës me kartë ose sisteme e-banking, përveç asaj në para të gatshme.

Sipas të dhënave të bankave, afër 90 për qind të transaksioneve që realizohen në tregun e shitjeve në vendin tonë dominon paraja në dorë.

Spiro Brumbulli, sekretar i Shoqatës së Bankave tha se mund të konsiderohet bërja e detyrueshme e kësaj mundësie duke ndjekur modelin e Greqisë. “Duhet ta bëjmë në mënyrë të detyrueshme siç e ka bërë Greqia pas krizës që çdo tregtar duhet të ofrojë kanal alternativ. Nëse nuk është karta duhet të ekzistojë një alternativë tjetër. Ne po insistojmë me Bankën e Shqipërisë ‘instant payment’, të paktën të bëhet real dhe nëse nuk kam kartë e bëj nga llogaria direkt”, tha Brumbulli.

Gjatë muajve të pandemisë COVID-19 ka pasur rritje të numrit të blerjeve me kartë dhe pagesave online, por sërish Shqipëria renditet e fundit në rajon. “Karta i duhet qytetarit, i duhet ekonomisë, luftës kundër informalitetit, transparencës”, u shpreh ai.

Në fund të muajit shtator, paraja në qarkullim jashtë kanaleve zyrtare të bankave arriti vlerën 2 miliardë e 656 milionë euro, dukë pësuar një rritje me 365 milionë euro krahasuar me një vit më parë. /TV Klan/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas konfirmimit të…