Si ishte evituar shkelja e Kushtetutës nga qeveritarët e zgjedhur deputetë në kohën kur Mustafa e Hoti ishin kryeministra?
Ministrat e zgjedhur deputetë në vitin 2017 kur Qeveria e Isa Mustafës ishte në detyrë, kishin dhënë dorëheqje pasi ishin zgjedhur deputetë duke ua lënë në duar postet zëvendësve të tyre. Isa Mustafa kishte vazhduar të ushtrojë detyrën e kryeministrit pasi nuk ishte deputet i zgjedhur. Një situatë tjetër kur zyrtarët e qeverisë mund të shkelnin Kushtetutën duke u betuar si deputetë ishte ai vitit 2021. Avdullah Hoti dhe Armend Zemaj ishin betuar në seancën e dytë, pasi kishin mbajtur pozitat për shkak të pandemisë, deri kur në zyra kishin hyrë Kurti dhe ministrat e tij.
Seanca konstituive e Kuvendit të ri të Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, që ka nisur sot, është bllokuar për shkak të interpretimeve të ndryshme të Vetëvendosjes së Albin Kurtit në njërën anë dhe Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në anën tjetër. Qysh në pikën e parë të rendit të ditës, seanca u bllokua.
Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së refuzuan të votonin raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit për shkak se Albin Kurti nuk ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit e rrjedhimisht miratimi i mandatit të tij thanë se do të ishte shkelje kushtetuese.
Letra, që u prezantua nga VV ku Kurti tha se bashkë me kabinetin qeveritar efektivisht janë të dorëhequr, nuk e bindi opozitën. Ata po i kërkojnë akt dorëheqjeje sipas ligjit që shumica parlamentare që drejtohet nga Kurti e ka miratuar.
Neni 26, pika 1 thotë se “Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”.
Pikërisht kjo pikë është bërë subjekt i përplasjes mes VV’së dhe PDK, LDK, AAK pasi Kurti ka refuzuar ta zbatojë duke e bërë një interpretim të vetin në facebook.
Ai kishte shkruar se më 23 mars, mandati i plotë katërvjeçar i qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga ai, përfundoi zyrtarisht dhe kaloi në fazën kalimtare të funksionimit si qeveri në detyrë, e cila “efektivisht është sikur qeveria në dorëheqje e mandateve të mëhershme të të tjerëve”
Ai kishte shkruar se deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, qeveria do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve”, kishte shkruar Kurti pa dhënë dorëheqje.
Por, cfarë kishin vepruar qeveritë e kaluara në rastet kur zyrtarët rrezikonin të bënin shkelje duke mbajtur pozita të dysfishta.
Në vitin 2017 kur kishte rënë Qeveria e tij, Isa Mustafa kishte mbetur Kryeministër në detyrë pasi nuk ishte deputet deri në ardhjen në zyrë të Kryeministrit Haradinaj.
Asokohe, ministrat e LDK’së që ishin zgjedhur deputetë në zgjedhjet e majit të vitit 2017 kishin dhënë dorëheqje ndërsa funksionin e tyre e kishin ushtuar zëvendësministrat.
Një rast tjetër kur udhëheqës të qeverisë për të evituar shkeljen kushtetuese është ai Avdullah Hoti dhe Armend Zemajt të cilët pas rënies së Qeverisë Hoti kishin qëndruar në pozitat e Kryeministrit respektivisht ministrit në detyrë për shkak të pandemisë edhe kur deputetët tjerë kishin bërë betimin. Hoti e Zemaj ishin betuar në seancën e dytë konstituive kur ishin liruar nga pozitat e lartëpërmendura.



