Hazrollaj të shtunën përshëndetet me tifozët e Malishevës
Drilon Hazrollaj do të përshëndetet të shtunën me tifozët e Malishevës, pasi do të jetë ndeshja e tij e fundit para tifozëve të skuadrës ku u bë i njohur.
Talenti i Malishevës, arriti marrëveshje muaj më parë me skuadrën rumune Rapidi nga Bukureshti, me të cilën skuadër nënshkroi për tri vjet, me dëmshpërblim rreth 800 mijë euro, sipas mediave në Rumani.
Ky është postimi i plotë i faqes “Fan club Malisheva” në Facebook:
“Të shtunën në “Liman Gegaj” do të shkruhet një kapitull i veçantë në historinë e FC Malishevës. Drilon Hazrollaj, djali që u rrit me këtë fanellë, do ta luajë ndeshjen e fundit para se të nisë një rrugëtim të ri te Rapidi i Bukureshtit.
90 ndeshje, 47 gola, 20 asiste – por mbi të gjitha, pafund emocione, përkushtim dhe krenari për qytetin dhe klubin tonë.
Drilon, ti nuk ishe vetëm një futbollist për ne – ishe frymëzim, zemër dhe simbol i bardh e kaltërve. Të urojmë sukses në çdo hap të ardhshëm dhe të falënderojmë për gjithçka që i dhe Malishevës!
E shtuna nuk është fund… është fillimi i krenarisë që do të mbajmë gjithmonë për ty!



