Dy vjet nga dhuna në Zveçan, çfarë ka ndodhur që nga ajo ditë

29 maj 2025 | 08:01

Teksa Policia e Kosovës thotë se situata aktuale në veri të vendit – dy vjet pas dhunës mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të KFOR-it – është “e qetë, por delikate” dhe se “shumëçka ka ndryshuar për mirë”, banorët serbë të kësaj zone thonë se situata nuk ka qenë kurrë më keq.

Personat me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë e përshkruan jetën e tyre pas majit të vitit 2023 si krejt të ndryshme, duke e cilësuar atë muaj si “pikë kthese”, kur nisi mbyllja e institucioneve që funksiononin sipas sistemit të Serbisë në Kosovë.

Më 29 maj 2023, në Zveçan ndodhi një përleshje e dhunshme mes protestuesve serbë dhe trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Protesta ishte thirrur kundër hyrjes së kryetarit shqiptar në ndërtesën e komunës, pasi serbët i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale me thirrje të Listës Serbe– partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit. Si rezultat, në krye të komunave me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok –erdhën kryetarë shqiptarë.

Nga përplasjet në Zveçan mbetën të plagosur rëndë dhe lehtë 93 ushtarë të KFOR-it që ishin të dislokuar para ndërtesës së komunës. Ndërkohë, u lënduan edhe rreth 50 serbë, shumë prej të cilëve më pas u larguan në Serbi dhe aktualisht nuk janë të qasshëm për drejtësinë në Kosovë.

KFOR-i e cilësoi sulmin ndaj pjesëtarëve të tij si “të paprovokuar dhe plotësisht të papranueshëm”, duke kërkuar që të gjithë pjesëmarrësit në dhunë të “ndiqen urgjentisht penalisht”. Ky mision ndërkombëtar shprehu gjithashtu shpresën se edhe autoritetet në Serbi po hetojnë personat që u kthyen atje pas trazirave.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informata nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Prokuroria për numrin e personave të ndjekur penalisht deri tani dhe për ndonjë proces në vazhdim lidhur me sulmin ndaj KFOR-it, por nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje për këtë çështje nuk dha as Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.

Ajo që dihet publikisht në Kosovë është se më shumë se dhjetë persona janë arrestuar në lidhje me dhunën në Zveçan. Disa janë dënuar me rreth një vit burg, pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë. Meqenëse u është llogaritur koha e qëndrimit në paraburgim, këta persona tashmë janë në liri, ndërsa të tjerë janë mbrojtur në gjendje të lirë.

Nga ana tjetër, ende nuk dihet nëse drejtësia serbe ka hapur apo po zhvillon ndonjë hetim për rastin e sulmit ndaj KFOR-it.

Policia e Kosovës: Situata e sigurisë në veri është nën kontroll

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë kujton se më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan ndodhi, siç e përshkruan ai, një “luftë e vogël”. Por, sipas tij, sot situata është “krejtësisht ndryshe”.

“Gjendja është ende delikate për shkak të aspektit politik, por është e qetë”, thotë Elshani. Ai thekson se Policia e Kosovës tani ka “kontroll të plotë” mbi sigurinë në veri dhe se nuk ka më “grupe të armatosura” që punojnë për destabilizim.

Më 29 maj 2023, në turmën e protestuesve serbë kishte edhe persona me maska, të cilët u përfshin në përleshje me ushtarët e KFOR-it duke përdorur shok-bomba, koktej molotovi dhe mjete të tjera të forta.

Ushtarë të lënduar të KFOR-it në Zveçan

FotogaleriUshtarë të lënduar të KFOR-it në Zveçan

Këto trazira u shndërruan në pikënisjen e tensioneve të reja në veri të Kosovës, që kulmuan në shtator 2023 kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë pranë Zveçanit. Në atë sulm u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.

“Nuk ka më grupe të armatosura në Kosovë. Sa i përket veriut të Kosovës, mund të themi se është e sigurt. Situata ka ndryshuar shumë”, thotë Elshani.

Ai shton se Policia e Kosovës është në kontakt të përhershëm me KFOR-in për çështjet që lidhen me veriun dhe se bashkërisht organizojnë patrullime ose shkëmbejnë informacione të rëndësishme.

Çfarë thonë qytetarët?

Jellena nga Mitrovica e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë dy vjetëve të fundit është ndier “e vetmuar dhe e përjashtuar”.

“Sikur askujt nuk i intereson më për njerëzit”, thotë ajo.

Sipas saj, vendimet e institucioneve të Kosovës në këtë periudhë kanë ndikuar negativisht në jetën e komunitetit serb. Si shembull përmend ndalimin e përdorimit të dinarit dhe mbylljen e institucioneve që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

“Gjithçka u bë edhe më e vështirë – duhet të shkosh deri në Rashkë [qytet në Serbi] për të tërhequr paratë. Çdo gjë është e komplikuar, njerëzit nuk i besojnë më askujt, ndihen të tradhtuar”, thotë Jellena.

Një bankomat i vendosur nga autoritetet serbe në Rashkë të Serbisë, vetëm pak metra pas kalimit të kufirit me Kosovën.

Një bankomat i vendosur nga autoritetet serbe në Rashkë të Serbisë, vetëm pak metra pas kalimit të kufirit me Kosovën.

Serbët në Kosovë nga buxheti i Serbisë marrin pensione, paga apo ndihma sociale, por që nga fillimi i vitit 2023, kur Banka Qendrore e Kosovës miratoi një rregullore që përcakton euron si të vetmen valutë të lejuar, këto pagesa janë të vështirësuar.

Ivani, gjithashtu nga veriu, thotë se jeta e serbëve është përkeqësuar ndjeshëm në dy vjetët e fundit.

“Gjërat kanë shkuar shumë larg, jeta është zbehur, nuk ka më komunikim me autoritetet lokale”, shprehet ai.

Sipas tij, situata është rënduar më tej nga mbyllja e institucioneve që ishin nën autoritetin e Qeverisë së Serbisë.

“Rrugët janë të zbrazëta”, thotë ai.

Përveç bizneseve, në veri janë hapur banka, por edhe zyra të Postës së Kosovës.

Përveç bizneseve, në veri janë hapur banka, por edhe zyra të Postës së Kosovës.

Kosova i konsideron institucionet, që punojnë sipas sistemit të Serbisë, si struktura paralele dhe të paligjshme. Procesi i mbylljes së tyre nisi zyrtarisht në fillim të vitit 2024, por një hap i madh drejt kësaj ishte marrja nën kontroll e ndërtesave komunale në maj 2023. Para këtij veprimi, komunat e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut funksiononin në të njëjtat objekte me të ashtuquajturat organe të përkohshme komunale të Serbisë. Në disa raste, kryetarët e komunave ishin të njëjtit në të dy sistemet.

Bojana nga Mitrovica e Veriut thotë se dy vjetët e fundit kanë qenë “më të këqijat e jetës” së saj. Ajo përmend si probleme mbylljen e institucioneve serbe, shtimin e pranisë së Policisë së Kosovës dhe mungesën e besimit ndaj institucioneve të Prishtinës dhe vendimeve të tyre.

“Gjithçka ka shkuar tatëpjetë, nuk ka ndodhur asgjë e mirë”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, shqiptarët që jetojnë në veri e përjetojnë situatën ndryshe. Për ta, gjendja e sigurisë “nuk ka qenë kurrë më e mirë”.

Përveç kësaj, ka nisur edhe procesi i kthimit të shqiptarëve të zhvendosur. Një prej tyre është Zahir Mehmeti, me të cilin ekipi i Radios Evropa e Lirë bisedoi disa muaj më parë. Ai tha se është kthyer në shtëpinë e tij pas 24 vjetësh, falë ndihmës së autoriteteve kosovare.

Mehmeti theksoi gjithashtu marrëdhëniet e mira me fqinjët serbë në Mitrovicën e Veriut, ku ata përbëjnë shumicën.

“Situata në veri është gjithmonë e brishtë”

Eksperti i sigurisë nga Prishtina, Nuredin Ibishi, vlerëson se situata aktuale në veri të Kosovës është e qetë, por mbetet e brishtë dhe se ekziston gjithmonë rreziku i përshkallëzimit për shkak të ndikimit të Serbisë.

Autoritetet në Kosovë besojnë se Serbia qëndron pas sulmit në Banjskë dhe tensioneve të tjera në veri, megjithëse kjo mohohet kategorikisht nga Beogradi zyrtar.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Ibishi thotë se pas sulmit të armatosur në Banjskë janë gjetur dëshmi për ekzistencën e një formacioni paraushtarak të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, i cili, sipas tij, lëviz shpesh në afërsi të kufirit me Kosovën. Prandaj, shton ai, rreziku për një përshkallëzim të mundshëm mbetet gjithmonë prezent.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë. Në Kosovë ai lidhet gjithashtu me aktivitete kriminale, korrupsion, krime lufte, vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq dhe frikësimin e dëshmitarëve në procese gjyqësore.

“Veriu i Kosovës mbetet një pikë e nxehtë potenciale. Mund të ndodhë përshkallëzim. Aktualisht situata është nën kontroll – nuk ka trazira publike, sulme ndaj policisë apo gazetarëve, nuk ka shpërthime. Gjendja është më e mirë, por për një stabilizim të qëndrueshëm nevojiten bisedime në nivel politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Ibishi.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por dialogu në nivel politik është bllokuar që nga sulmi në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Lajme të sponsorizuara

23 tetor10:52

Cakolli: Çdo ndryshim i Ligjit për Specialen rrezikon të përfundojë në Dhomën Kushtetuese në Hagë Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se çdo ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të kontestohet dhe të përfundojë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Cakolli ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës duhet ta trajtojë me kujdes ligjin e kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se ndryshimet eventuale duhet të kufizohen në çështjet e evidentuara dhe të bëhen në përputhje me rregullat parlamentare. Ai ka shpjeguar se Komisioni për Legjislacion ka afat prej katër javësh për ta shqyrtuar vendimin e presidentes dhe për t’ia paraqitur Kuvendit një raport me rekomandime për hapat e mëtejshëm. “Menjëherë pasi presidentja e ka dërguar shkresën përkatëse dhe vendimin për ta kthyer ligjin, çështja i rikthehet vendimmarrjes së Kuvendit të Kosovës, por brenda një afati dhe me një shumicë të ndryshme nga ajo paraprake”, ka thënë Cakolli. Sipas tij, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duhet t’ua përcjellë vendimin deputetëve dhe Komisionit për Legjislacion, i cili duhet ta shqyrtojë arsyetimin e presidentes dhe të vlerësojë nëse janë evidentuar nene problematike apo shkelje të mundshme të procedurave kushtetuese dhe obligimeve ndërkombëtare. Cakolli ka thënë se Komisioni mund të rekomandojë dy rrugë: që Kuvendi ta mbivotojë vendimin e presidentes dhe ta miratojë ligjin në përmbajtjen aktuale, ose që të merren parasysh vërejtjet e saj dhe të bëhen ndryshimet përkatëse. “E para është që të konstatohet se Kuvendi duhet ta mbivotojë veton e presidentes, për çka nevojiten të paktën 61 vota për, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi edhe pa dekret të presidentes, në raport me përmbajtjen aktuale siç e ka pasur në momentin e miratimit. Ose mund të rekomandojë që të merren parasysh vërejtjet e evidentuara nga presidentja dhe të njëjtat të inkorporohen në ligj”, ka deklaruar ai. Ai ka shtuar se, nëse vendoset për ndryshimin e ligjit, procedura duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat parlamentare, në mënyrë që të shmangen probleme të tjera juridike kur ligji t’i dërgohet sërish presidentes. Cakolli ka vënë në pikëpyetje edhe arsyetimin e kthimit të ligjit, duke kërkuar që të bëhet e qartë nëse vendimi i presidentes është bazuar në përmbajtjen e tij apo në kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e kishte sponsorizuar nismën. Ai ka vlerësuar se mënyra se si është vepruar e ka ngritur dilemën nëse Presidenca ka pasur vërejtje për përmbajtjen e ligjit apo vetëm e ka përcjellë kërkesën e partisë sponsorizuese. “Ka qenë jashtëzakonisht e çuditshme, për të mos thënë shkurtpamëse, ajo që ndodhi. Presidenca deklaroi se ligji është tërhequr me kërkesë të një pale, e cila ka qenë njëkohësisht edhe sponsorizuese e ligjit dhe një prej promotoreve kryesore të miratimit urgjent të projektligjit”, ka thënë Cakolli. Ai ka kritikuar gjithashtu PDK-në, duke kujtuar se fillimisht kishte kërkuar miratimin e ligjit me nguti, ndërsa më pas ka kërkuar rishqyrtimin dhe forcimin e disa dispozitave. Sipas Cakollit, ndryshimet e mundshme duhet të shqyrtohen me kujdes, pasi bëhet fjalë për një ligj që prek proceset gjyqësore në Hagë dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës. “Është një situatë e pakuptimtë, për shkak se i njëjti ligj u kërkua të miratohej me nguti, ndërsa tash po thuhet se ka elemente që mund të forcohen. Këto ndryshime është dashur të bëheshin gjatë periudhës përkatëse, për shkak se kemi të bëjmë me një ligj që prek një çështje tepër të rëndësishme, jo vetëm në kuptim të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, por edhe të obligimeve ndërkombëtare që Kosova ka si partnere ndërkombëtare, posaçërisht në raport me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai. Cakolli ka theksuar se presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj, pavarësisht nëse Kuvendi vendos ta mbivotojë vendimin e saj apo ta ndryshojë përmbajtjen e tij. Ai ka paralajmëruar se çdo variant i ligjit mund të kontestohet në Dhomën Kushtetuese të Gjykatës Speciale në Hagë. “Secili variant i ligjit, përkatësisht ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka pasur dhe do ta ketë rrezikun që të kontestohet dhe eventualisht të trajtohet nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Prandaj, çfarëdo ndryshimi që do të bëhet në këtë ligj, me gjasë do të përfundojë atje, në një mënyrë apo tjetrën”, ka thënë Cakolli. Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, ndryshimet që do të ishin plotësisht në përputhje me Kushtetutën mund të mos kishin efekt praktik, duke e cilësuar këtë si një situatë paradoksale. Cakolli ka theksuar se gjatë katër javëve në vijim do të shihet se si do të procedohet me ligjin dhe cilat do të jenë qëndrimet e partive politike. Presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtimin e tij. Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhej veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave. Në arsyetimin e saj, sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka ritheksuar qëndrimin kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe barazimit të luftës çlirimtare me regjimin që e shtypi vendin. Ndërkaq, PDK-ja ka deklaruar se rishqyrtimi synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Partia ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit.

✖
Të fundit
Sipas Barometrit Standard të Bashkimit Evropian për pranverën e vitit…