Kryetari i Listës Serbe nesër intervistohet nga Prokuroria Speciale
Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, nesër (e mërkurë) do t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë Speciale për intervistim, ka konfirmuar të martën partia që ai drejton.
Sipas partisë së tij, Eleku do të intervistohet nesër në orën 13:30.
“Thirrjes Eleku i përgjigjet si kryetar i Listës Serbe, kirurg pediatër i respektuar dhe njeri i ndershëm, thellësisht i vetëdijshëm për pastërtinë e tij juridike dhe morale, sepse nuk ka kryer asnjë vepër të kundërligjshme. Prandaj, ai vendosi të përgjigjet nga besimi në drejtësinë dhe paanshmërinë e kësaj procedure”, ka njoftuar Lista Serbe, duke pretenduar më pas se kjo thirrje i “ka të gjitha shenjat dalluese të një procesi të montuar politikisht, të drejtuar kundër serbëve dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë”.
“Dhe e gjithë kjo për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk i përgjigjet thirrjeve për marrje në pyetje dhe nuk mban përgjegjësi për këtë”, ka njoftuar Lista Serbe.
Eleku është thirrur për t’u paraqitur në prokurori për shkak të protestave dhe barrikadave në vitin 2022.



