Liderët e Ballkanit diskutojnë planin e rritjes së BE-së, Kurti: Kemi interes të përbashkët
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po qëndron në Shkup ku po merr pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit për planin e rritjes të Bashkimit Evropian.
Para fillimit të këtij takimi, Kurti u është adresuar medieve, ku u shpreh se ky takim është dashur të mbahet në muajin mars por u shty për shkak të tragjedisë në Koçani.
Ai ka thënë se ky është takimi i katërt i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
“Ky takim është dashur që të mbahet në muajin mars, mirëpo u pat shtyrë për shkak të tragjedisë në Koçan të Velesit, me ç’rast unë shfrytëzoj rastin që edhe një herë t’u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve të viktimave. Me këtë rast ne kemi pasur një darkë paraprake mbrëmë ku kemi diskutuar për Planin e Rritjes, por për mua është çdoherë kënaqësi që të vij në Shkup sidomos tash që kemi pikat e përbashkëta të kontrollit kufitar: Han të Elezit – Bllac, e cila me 12 prill u funksionalizua, dhe Glloboçicë-Jazhincë, e cila u funksionalizu sivjet, më 28 maj. Të gjitha këto janë rezultat i marrëveshjeve të përbashkëta që i kemi bërë me Qeverinë Miskovski me datën 18 nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona. Është gjithmonë kënaqësi të vijë në Shkup, në këtë vend, i cili është kryeqytet i një vendi anëtar të NATO-s, por gjithashtu edhe i një vendi që bashkërisht me të gjithë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, ka pohuar Kurti.



