Deputeti gjerman: Serbia s’mund të kërkojë të drejta për serbët në Kosovë e t’i shkelë të shqiptarëve në Preshevë

14 korrik 2025 | 08:28

Deputeti i SPD-së, Adis Ahmetoviq, në intervistë me DW flet për Srebrenicën, Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbinë e Jugut. Ai gjithashtu foli edhe për heshtjen politike për gjendjen e shqiptarëve në Serbinë e Jugut, Srebrenicën dhe vëmendjen ndaj Kosovës. Ai tha se Kosova duhet të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Z. Ahmetoviq të premten ju mbajtët në Bundestag një fjalim me rastin e ditës përkujtimore të Srebrenicës. Ju jeni i prekur personalisht nga Lufta e Bosnjës, eshtrat e gjyshit tuaj u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan vetëm në vitin 2016. Si e përjetuat këtë debat?

Ahmetoviq: Jam shumë mirënjohës që në Bundestagun gjerman u zhvillua një debat i dakorduar për këtë ngjarje. Nuk përkujtuam vetëm 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, por për herë të parë edhe Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit për këtë krim. Vitin e kaluar, qeveria gjermane, në bashkëpunim me Ruandën, arriti të fitojë shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta shpallur këtë ditë si ditë ndërkombëtare përkujtimore. Ky debat ishte i domosdoshëm. Edhe pas 30 vitesh ka ende aktorë politikë në Ballkanin Perëndimor – në Bosnje e Hercegovinë, por edhe në Beograd – që mohojnë gjenocidin, përpiqen të shtrembërojnë historinë dhe glorifikojnë kriminelë lufte si Ratko Mladić apo Radovan Karadžić. Kjo është e papranueshme. Kemi përgjegjësi – ndaj viktimave, familjarëve të tyre dhe gjithë rajonit.

Srebrenica ishte një gjenocid në tokën evropiane. Çfarë mësimesh mund të nxirren nga kjo për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor – veçanërisht në Kosovë?

Ahmetoviq: Ne duhet ta ndjekim nga afër dhe vazhdimisht situatën në Ballkanin Perëndimor. Politika për Ballkanin nuk mund të jetë çështje konjukturash – ajo duhet të jetë pjesë e përhershme e agjendës së politikës sonë të jashtme. Prandaj, unë ndjek rregullisht zhvillimet në rajon, në Shqipëri, Serbi dhe në Kosovë. Qëllimi ynë është stabiliteti në rajon. Për Kosovën, kjo do të thotë konkretisht: ne duam që ky vend të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur – nëse do të varej nga SPD, më mirë dje sesa nesër. Srebrenica na kujton çdo ditë, se Ballkani Perëndimor nuk është periferi, por pjesë qendrore e Evropës. Shumë njerëz nga Ballkani jetojnë sot në Gjermani, janë të integruar shumë mirë dhe janë shtetas gjermanë. Edhe kjo na obligon. Rajoni duhet të jetë pjesë përbërëse e politikave tona të jashtme dhe të sigurisë – dhe ky është realitet nën këtë qeveri, veçanërisht sa i përket Kosovës.

Sipas informacioneve tona, në Bundestag ka pasur një përpjekje për të miratuar një rezolutë për Srebrenicën. Përse dështoi kjo nismë?

Ahmetoviq: Mund të them me siguri se sot kemi arritur ta përkujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Gjenocidit në Srebrenicë në një formë të denjë – me përmasa dhe në një kuadër që i përgjigjet seriozitetit të kësaj çështjeje. Unë mbajta një fjalim personalisht dhe vendosa lulen përkujtimore të Srebrenicës në jakën e xhaketës – si një shenjë të qartë solidariteti. Një shenjë tjetër e fortë ishte prania e dy të mbijetuarve të gjenocidit. Krahas ambasadorit të Bosnjës, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës, partneri im politik Faruk Ajeti – një diplomat që bën një punë të shkëlqyer këtu në Gjermani. Dua të theksoj gjithashtu: Grupi parlamentar i SPD-së në Bundestag ka miratuar një qëndrim të vetin për 30-vjetorin dhe për Ditën e Parë Ndërkombëtare të Përkujtimit për Srebrenicën – dhe këtë e ka bërë njëzëri. Kjo ishte vetëm pika e fillimit. Vitin tjetër vjen dita e dytë Ndërkombëtare e Përkujtimit – pastaj e treta, e katërta dhe ne do ta rrisim dhe do ta përmirësojmë angazhimin tonë.

Përmendët Këshillin e Evropës. A ka ndonjë plan konkret për ta vendosur anëtarësimin e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave?

Ahmetoviq: Nuk mund të përmend një datë konkrete, sepse kjo do të ishte e papërgjegjshme. Por si zëdhënës për politikën e jashtme të grupit parlamentar të SPD-së – bashkë me kolegun tim Frank Schwabe – do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur kursin tonë. Ne duam që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. U zhgënjyem që kjo nuk u arrit në legjislaturën e kaluar, ndonëse kishte një momentum strategjik. Po të ishte ushtruar më shumë presion, ndoshta do të kishte ndodhur. Megjithatë, nuk duhet të dorëzohemi. Në jubileun e Këshillit të Evropës në Bundestag thashë qartë: Dëshira ime është që Kosova, kjo demokraci e re, të bëhet anëtare e plotë sa më shpejt – nëse do të varej nga ne të SPD-së, dje e jo nesër.

Ndaj kujt duhej bërë më shumë presion vitin e kaluar?

Ahmetoviq: Qeveria gjermane do të duhej të kishte ushtruar më shumë presion mbi shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Disa vende ishin kundër. Por Gjermania ka tani më shumë peshë në Evropë – dhe ne duhet të veprojmë me vetëbesim, por edhe me përulësi. Si SPD do të kujdesemi që qeveria të jetë më aktive në këtë drejtim. Ministri i Jashtëm, z. Wadephul, është shprehur vetë se Kosova duhet të bëhet anëtare e përhershme e Këshillit të Evropës. Ne do t’ia kujtojmë këtë premtim – dhe do ta gjykojmë në bazë të tij.

Një tjetër garanci për paqe është anëtarësimi në BE. Shqipëria dhe Mali i Zi shpresojnë të bëhen anëtare deri në vitin 2030. A është kjo realiste? Dhe dëgjojmë të flitet për anëtarësim të asociiuar. Çfarë nënkuptojmë me këtë term?

Ahmetoviq: Një nga mësimet më të mëdha nga gjenocidi i Srebrenicës është: procesi i integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë ende anëtare të BE-së duhet të marrë hov serioz. Nëse duam stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon, këto vende – përfshirë Kosovën – duhet të kenë një perspektivë reale, transparente dhe të sinqertë për anëtarësim. Dhe diçka tjetër: Anëtarësimi në NATO është po aq i rëndësishëm sa ai në BE. Të dyja nivelet – integrimi politik dhe siguria kolektive – janë të lidhura ngushtë. Pa siguri, nuk ka asgjë. Njerëzit nuk kanë ikur nga Ballkani në vitet ’90 për të kërkuar punë më të mirë. Ata ikën për shkak të luftës, përndjekjes, dëbimit dhe krimeve. Që kjo të mos ndodhë më kurrë, nevojitet një përfshirje e qëndrueshme në BE dhe NATO. Nuk mund të them se kur do të ndodhë kjo. Por mund t’ju premtoj: si përfaqësues i SPD-së për politikën e jashtme, do të jap gjithçka që kjo perspektivë të bëhet reale. E vërteta është gjithashtu se shtetet vetë – Kosova, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Përgjegjësia është e dyanshme.

Parlamenti i Kosovës është i bllokuar aktualisht dhe nuk po arrin të fillojë punën. Sa e dëmshme është kjo për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian?

Ahmetoviq: Si socialdemokrat, jam në kontakt të ngushtë me qeverinë e Kosovës. Albin Kurti dhe partia e tij janë parti simotra me SPD-në – të dyja i përkasin krahut të majtë progresist. Ne kemi një interes të madh për një qeveri stabile në Kosovë, një parlament funksional dhe punë parlamentare të rregullt. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme që në Kosovë të rikthehet sa më shpejt stabiliteti politik. Nëse kjo arrihet dhe në vitet e ardhshme kemi një qeveri stabile – me një presidente shumë të vetëdijshme dhe përfaqësuese të shkëlqyer të kësaj demokracie të re –, siç është zonja Vjosa Osamani, atëherë çështje si anëtarësimi në Këshillin e Evropës, procesi i integrimit në BE dhe një anëtarësim i mundshëm në NATO duhet të jenë sërish në krye të agjendës. Këto çështje janë të ndërlidhura ngushtë. Dhe nëse të dyja palët – Kosova dhe BE-ja – bëjnë detyrat e tyre, unë jam i bindur se do të ketë një perspektivë shumë pozitive.

Shqiptarët në Luginën e Preshevës ankohen për margjinalizim – dhe se janë të prekur nga pasivizimi sistematik i adresave të tyre. Këtë javë ju keni pritur në Bundestag një delegacion nga Lugina e Preshevës. Çfarë morët me vete nga ky takim?

Ahmetoviq: Do të jem shumë i sinqertë – dhe unë jam një politikan që flet hapur: Situata e pakicës shqiptare në Serbi deri më sot nuk ka pasur vëmendjen e duhur, as në Gjermani e as në Bashkimin Evropian. Ne nuk e kemi parë mjaftueshëm situatën. Prandaj jam shumë mirënjohës që ky delegacion bëri një rrugë kaq të gjatë për të ardhur në Bundestag. Kur them “rrugë e gjatë”, nuk e kam fjalën për kilometrat, por për këmbënguljen. Ata kanë kërkuar takime vazhdimisht – nuk ka qenë e lehtë të gjejnë dëgjues. Ka pasur shumë organizata të ndryshme që kanë avokuar për këtë çështje, ndër të tjera edhe një shkencëtare nga Institutit Max Planck në Göttingen, e cila më konaktoi e më tha: “Z. Ahmetović, duhet ta shikoni këtë çështje.” Dhe jam i lumtur që e bëra. Nuk e kisha të qartë sa serioze dhe problematike është situata në terren. Çfarë mësova nga ky takim? Ne duhet të sigurohemi që të drejtat e pakicave të vlejnë kudo. Sa i përket pakicës shqiptare në Serbi, ka tre marrëveshje për të cilat Serbia është zotuar. Ato përmbajnë detyrime të qarta për integrimin e shqiptarëve në administratë, gjyqësor, polici dhe në përfaqësimin politik. Këto marrëveshje duhet të zbatohen – sepse janë parakusht për perspektivën e Serbisë drejt BE-së.

Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit shqiptarë nga Serbia e Jugut kërkojnë që çështja e tyre të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja. A e konsideroni këtë kërkesë legjitime?

Ahmetoviq: Pakica serbe në Kosovë ka të drejtë legjitime të kërkojë të drejtat e veta. Përse të mos vlejnë standardet që kërkon qeveria serbe për serbët në Kosovë edhe për shqiptarët në Serbi? Unë mendoj se këto standarde duhet të vlejnë për të gjitha pakicat – për pakicat në Serbi, si edhe për pakicat në Kosovë. Prandaj unë e gjej legjitime kërkesën e pakicës shqiptare në Serbi që të futet në agjendën e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës që moderon BE-ja. Unë e mora këtë kërkesë si detyrë për punën time dhe do ta adresoj./DW

Lajme të sponsorizuara

23 tetor10:52

Cakolli: Çdo ndryshim i Ligjit për Specialen rrezikon të përfundojë në Dhomën Kushtetuese në Hagë Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se çdo ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të kontestohet dhe të përfundojë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Cakolli ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës duhet ta trajtojë me kujdes ligjin e kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se ndryshimet eventuale duhet të kufizohen në çështjet e evidentuara dhe të bëhen në përputhje me rregullat parlamentare. Ai ka shpjeguar se Komisioni për Legjislacion ka afat prej katër javësh për ta shqyrtuar vendimin e presidentes dhe për t’ia paraqitur Kuvendit një raport me rekomandime për hapat e mëtejshëm. “Menjëherë pasi presidentja e ka dërguar shkresën përkatëse dhe vendimin për ta kthyer ligjin, çështja i rikthehet vendimmarrjes së Kuvendit të Kosovës, por brenda një afati dhe me një shumicë të ndryshme nga ajo paraprake”, ka thënë Cakolli. Sipas tij, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duhet t’ua përcjellë vendimin deputetëve dhe Komisionit për Legjislacion, i cili duhet ta shqyrtojë arsyetimin e presidentes dhe të vlerësojë nëse janë evidentuar nene problematike apo shkelje të mundshme të procedurave kushtetuese dhe obligimeve ndërkombëtare. Cakolli ka thënë se Komisioni mund të rekomandojë dy rrugë: që Kuvendi ta mbivotojë vendimin e presidentes dhe ta miratojë ligjin në përmbajtjen aktuale, ose që të merren parasysh vërejtjet e saj dhe të bëhen ndryshimet përkatëse. “E para është që të konstatohet se Kuvendi duhet ta mbivotojë veton e presidentes, për çka nevojiten të paktën 61 vota për, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi edhe pa dekret të presidentes, në raport me përmbajtjen aktuale siç e ka pasur në momentin e miratimit. Ose mund të rekomandojë që të merren parasysh vërejtjet e evidentuara nga presidentja dhe të njëjtat të inkorporohen në ligj”, ka deklaruar ai. Ai ka shtuar se, nëse vendoset për ndryshimin e ligjit, procedura duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat parlamentare, në mënyrë që të shmangen probleme të tjera juridike kur ligji t’i dërgohet sërish presidentes. Cakolli ka vënë në pikëpyetje edhe arsyetimin e kthimit të ligjit, duke kërkuar që të bëhet e qartë nëse vendimi i presidentes është bazuar në përmbajtjen e tij apo në kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e kishte sponsorizuar nismën. Ai ka vlerësuar se mënyra se si është vepruar e ka ngritur dilemën nëse Presidenca ka pasur vërejtje për përmbajtjen e ligjit apo vetëm e ka përcjellë kërkesën e partisë sponsorizuese. “Ka qenë jashtëzakonisht e çuditshme, për të mos thënë shkurtpamëse, ajo që ndodhi. Presidenca deklaroi se ligji është tërhequr me kërkesë të një pale, e cila ka qenë njëkohësisht edhe sponsorizuese e ligjit dhe një prej promotoreve kryesore të miratimit urgjent të projektligjit”, ka thënë Cakolli. Ai ka kritikuar gjithashtu PDK-në, duke kujtuar se fillimisht kishte kërkuar miratimin e ligjit me nguti, ndërsa më pas ka kërkuar rishqyrtimin dhe forcimin e disa dispozitave. Sipas Cakollit, ndryshimet e mundshme duhet të shqyrtohen me kujdes, pasi bëhet fjalë për një ligj që prek proceset gjyqësore në Hagë dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës. “Është një situatë e pakuptimtë, për shkak se i njëjti ligj u kërkua të miratohej me nguti, ndërsa tash po thuhet se ka elemente që mund të forcohen. Këto ndryshime është dashur të bëheshin gjatë periudhës përkatëse, për shkak se kemi të bëjmë me një ligj që prek një çështje tepër të rëndësishme, jo vetëm në kuptim të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, por edhe të obligimeve ndërkombëtare që Kosova ka si partnere ndërkombëtare, posaçërisht në raport me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai. Cakolli ka theksuar se presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj, pavarësisht nëse Kuvendi vendos ta mbivotojë vendimin e saj apo ta ndryshojë përmbajtjen e tij. Ai ka paralajmëruar se çdo variant i ligjit mund të kontestohet në Dhomën Kushtetuese të Gjykatës Speciale në Hagë. “Secili variant i ligjit, përkatësisht ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka pasur dhe do ta ketë rrezikun që të kontestohet dhe eventualisht të trajtohet nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Prandaj, çfarëdo ndryshimi që do të bëhet në këtë ligj, me gjasë do të përfundojë atje, në një mënyrë apo tjetrën”, ka thënë Cakolli. Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, ndryshimet që do të ishin plotësisht në përputhje me Kushtetutën mund të mos kishin efekt praktik, duke e cilësuar këtë si një situatë paradoksale. Cakolli ka theksuar se gjatë katër javëve në vijim do të shihet se si do të procedohet me ligjin dhe cilat do të jenë qëndrimet e partive politike. Presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtimin e tij. Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhej veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave. Në arsyetimin e saj, sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka ritheksuar qëndrimin kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe barazimit të luftës çlirimtare me regjimin që e shtypi vendin. Ndërkaq, PDK-ja ka deklaruar se rishqyrtimi synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Partia ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit.

✖
Të fundit
Nga: Rowan Pelling (titulli: The Salt Path scandal has blown up,…