KMDLNj vlerëson se mungesa e transparencës dhe mungesa e shpjegimeve juridike të këtij vendimi ngrenë shqetësime serioze për garantimin e një procesi të drejtë dhe të paanshëm

16 korrik 2025 | 16:36

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) shpreh shqetësimin e tij lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë, për të rrëzuar mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse të z. Hashim Thaçi, z. Jakup Krasniqi, z. Kadri Veseli dhe z. Rexhep Selimi.

Në kundërshtim me pritjet e mbrojtjes dhe pa ofruar një arsyetim të detajuar, Gjykata ka refuzuar të gjitha pikat e këtij mocioni. KMDLNj vlerëson se mungesa e transparencës dhe mungesa e shpjegimeve juridike të këtij vendimi ngrenë shqetësime serioze për garantimin e një procesi të drejtë dhe të paanshëm.

Që nga fillimi i këtij procesi, janë vërejtur parregullsi dhe trajtime që bien ndesh me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë: arrestime të bazuara në prova të dyshimta, zgjatje të pajustifikuar të paraburgimit, refuzim të garancioneve nga institucionet e Kosovës, dhe mospërfillje të kërkesave për masa alternative ndaj paraburgimit. Këto veprime, të përsëritura në mënyrë sistematike, vënë në pikëpyetje kredibilitetin e këtij procesi gjyqësor.

KMDLNj rikujton se qëllimi i çdo gjykate ndërkombëtare duhet të jetë sigurimi i drejtësisë për viktimat dhe përgjegjësisë për kryesit e krimeve, pa paragjykime politike, etnike apo kombëtare. Përdorimi i dëshmive të mbledhura nga shërbime sekrete të shteteve të treta, ose nga burime jo të verifikueshme, dëmton rëndë integritetin e procesit dhe perceptimin e tij në opinionin publik.

Në këtë kontekst, shprehja publike e qëndrimeve nga përfaqësues të lartë të Gjykatës, para vendimeve konkrete, krijon ndjesinë e njëanshmërisë dhe cënon parimin e prezumimit të pafajësisë.

KMDLNj konsideron se drejtësia duhet të jetë rezultat i një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë – dhe jo i ndikimeve politike apo marrëveshjeve të pashpallura që synojnë të ndryshojnë rrëfimin historik apo zhvillimet politike në rajon.

Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare dhe organizatat që monitorojnë procesin, që të ndërmarrin hapa për të siguruar integritetin dhe transparencën e mëtejshme të kësaj gjykate.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet turke po përballen me fronte të reja të mëdha…