FBI kërkon ndihmën e publikut për gjetjen e autorit të vrasjes së Charlie Kirk
Charlie Kirk, një nga figurat më të njohura të lëvizjes konservatore amerikane dhe bashkëthemelues i organizatës Turning Point USA, është vrarë të mërkurën me armë zjarri gjatë një fjalimi në Universitetin e Luginës së Utah-ut.
Ngjarja e rëndë ndodhi para qindra pjesëmarrësve, ndërsa dëshmitarët raportuan për masa të kufizuara sigurie në hapësirat përreth.
FBI, në koordinim me autoritetet lokale dhe shtetërore, ka nisur një hetim të plotë dhe ka bërë thirrje publike që çdo person që ka informacion, fotografi apo video nga momenti i të shtënave t’i ndajë ato përmes një formulari online të publikuar në platformën X.
Një dëshmitar okular, Skyler Baird, ka rrëfyer për mediat se ndodhej vetëm 15 metra larg Kirk në momentin e sulmit dhe se menjëherë e kuptoi se ai nuk do t’i mbijetonte plagëve. Ai shtoi se, ndonëse kishte sigurim afër folësit, “ambienti i përgjithshëm i kampusit nuk kishte masa të dukshme sigurie”.
Vrasja e Kirk ka shkaktuar një reagim të gjerë në mbarë Shtetet e Bashkuara, ku janë mbajtur vigjile dhe lutje në nder të tij.
Një moment heshtjeje u shënua edhe nga ekipi i bejzbollit New York Yankees, ndërsa në Arizona grupi “Catholics for Catholics” organizoi një lutje publike në Scottsdale, qyteti ku Kirk jetonte. Homazhe të tjera janë mbajtur në Seattle, Washington D.C., Oklahoma dhe Texas A&M.
Presidenti Donald Trump reagoi me një video-mesazh nga Zyra Ovale, ku e quajti vrasjen e Kirk një “atentat të ndyrë” dhe një “moment të errët për Amerikën”. Ai e përshkroi atë si “një dëshmor për të vërtetën dhe lirinë”, duke e lidhur ngjarjen me një valë dhune politike që, sipas tij, po nxitët nga “retorika e së majtës radikale”.
Trump premtoi se administrata e tij do të zbulojë dhe ndëshkojë jo vetëm autorët e këtij krimi, por edhe ata që kontribuojnë në klimën e dhunës politike në vend. Ai theksoi se është koha që si publiku, ashtu edhe media, “të përballen me realitetin se demonizimi i kundërshtarëve politikë mund të sjellë pasoja tragjike”.
Hetimet për këtë atentat fatal po vazhdojnë, teksa autoritetet janë angazhuar për të identifikuar autorin dhe motivin që qëndron pas aktit që ka tronditur opinionin publik amerikan.



