Donald Trump ndërpret ndihmën prej 4 miliardë dollarësh për Izraelin: S’kanë më nevojë

03 nëntor 2026 | 21:54

Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se ndihma amerikane për Izraelin do përfundojë në fund të këtij viti, duke argumentuar se vendi nuk ka më nevojë për këtë mbështetje dhe mund t’i blejë vetë armët.

“Ne u jepnim 4 miliardë dollarë dhe ende po ua japim, por kjo ndërpritet në fund të vitit”, tha Trump të martën në emisionin “Fox & Friends”, në një deklaratë të bërë mëngjesin e Ditës së Zgjedhjeve.

Trump pranoi se ky njoftim kishte edhe karakter politik, duke iu referuar garës së rëndësishme për Senatin në shtetin e Miçiganit, mes demokratit Abdul El-Sayed dhe republikanit Mike Rogers.

“Pse duhet të përballemi me sulmet e të çmendurve si El-Sayed, kur ata nuk kanë nevojë për këtë ndihmë?”, tha Trump. “Është një argument politik që nuk na leverdis.”

Sipas Trump, mbështetja përfshinte “pajisje dhe para”. Ai e përshkroi atë si ndihmë ushtarake, para në dorë ose “shkëmbim mallrash”. Presidenti tha se ai dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishin diskutuar prej vitesh për përfundimin e kësaj ndihme, duke shtuar se ishte vetë Netanyahu që e kishte ngritur këtë çështje, shkruan Fox News.

“Ata nuk kanë nevojë për të”, tha Trump. “Izraeli është aleati ynë numër një. Ne u japim më shumë se kujtdo tjetër dhe ata nuk kanë më nevojë për këtë ndihmë.”

“Izraeli është një vend që po lulëzon”, shtoi ai.

Marrëveshja aktuale e ndihmës së sigurisë mes SHBA-së dhe Izraelit parashikon rreth 3.8 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2028. Netanyahu ka deklaruar më parë se dëshiron ta reduktojë gradualisht varësinë e Izraelit nga ndihma ushtarake amerikane, megjithëse koha dhe kushtet e çdo ndryshimi të marrëveshjes nuk janë bërë ende të ditura.

Trump tha se kjo ndihmë ishte kthyer në një objektiv politik, duke shtuar se Netanyahu e kuptonte se “kjo është një nga pikat që kundërshtarët e tyre përdorin”.

“Nëse mendoni se do të vazhdojmë të marrim atë që sigurova dy herë, pra dhjetëra miliarda dollarë ndihmë amerikane për buxhetin e mbrojtjes, përgatituni dhe mësohuni me faktin se kjo nuk do të ndodhë, sepse Amerika ka ndryshuar”, tha Netanyahu në një intervistë për një kanal televiziv izraelit në tetor.

Sipas Trump, shifra prej 4 miliardë dollarësh i referohej pajisjeve ushtarake ose parave në dorë.

“Do ta quaj si të doni ju”, tha Trump. “Mund ta konsideroni shkëmbim mallrash. Mund ta konsideroni ndihmë ushtarake ose para në dorë. Janë pajisje dhe para me vlerë 4 miliardë dollarë që ne u japim, por ata nuk kanë nevojë për to.”

Trump negocioi marrëveshjen e re me Netanyahun, i cili po përballet gjithashtu me një periudhë të vështirë zgjedhore. E ardhmja e tij politike mbetet e paqartë, ndërsa forcat politike në Knesset përpiqen të formojnë një qeveri koalicioni, në kushtet e luftërave në disa fronte kundër grupeve terroriste dhe Iranit.

“Bibi Netanyahu më kontaktoi dhe kemi folur për këtë çështje prej disa vitesh, sepse bëhet fjalë për shumë para”, tha Trump. “Ai e ngriti vetë këtë çështje. Më tha: ‘Mendoj se do të ishte e përshtatshme nëse nuk do të merrnim më ndihmë’.”

Kongresi miratoi në vitin 2020 një ligj që autorizonte financimin për Izraelin, por Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve duhet të miratojnë ende çdo vit ligjet përkatëse të buxhetit, në mënyrë që fondet të shpërndahen dhe të vihen në dispozicion.

Trump theksoi se Izraeli do të mund të vazhdojë të blejë armë amerikane.

“Ata mund të blejnë çfarëdo që të duan”, tha ai.

Trump iu referua premtimeve të fushatës së tij të vitit 2024 për të kufizuar ndihmën e huaj pa kushte dhe për të ulur shpenzimet qeveritare. Këtë deklaratë e bëri vetëm pak orë përpara se të përcaktohej balanca e pushtetit në Kongres për dy vitet e fundit të mandatit të tij.

“Kemi folur për këtë prej disa vitesh, sepse bëhet fjalë për shumë para”, tha Trump. “E dini, dikush që dëshiron një buxhet të balancuar. Do të më pëlqente shumë të arrinim të balanconim buxhetin tonë.”

“Nëse do të kishim një Rezervë Federale që do të ulte normat e interesit”, shtoi ai, “do të arrinim shpejt një buxhet të balancuar. Është turp ajo që po ndodh me normat e interesit. Kemi një Rezervë Federale të mbushur me njerëz të Obamës dhe Bidenit, të cilët nuk duan të bëjnë gjënë e duhur.”

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas 27 vitesh pasigurie dhe pritjeje, familja Fazlija ka marrë…