Mbahet tryeza e “Fuqia e këndit të raportimit”
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me Projektin Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS Project) dhe me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), organizoi sot tryezën e rumbullakët “Fuqia e këndit të raportimit”, e cila mblodhi së bashku gazetarë, përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës shëndetësore
Fjalët e hapjes i mbajtën Linda Baleta, eksperte e lartë për Avokim, IHS; Getoarbë Mulliqi, drejtoresh ekzekutive, AGK dhe Gjylferije Zabeli, udhëheqëse e Divizionit për Komunikim me Publik, Ministria e Shëndetësisë
Merita Miftari prezantoi storie të publikuara në media përmes sesionit “Gazetarët flasin, pacientët dëgjohen”, duke sjellë shembuj konkretë të ndikimit që ka raportimi i përgjegjshëm në ngritjen e vetëdijes qytetare.
Paneli kryesor me temë “Paraqitja e zërit dhe perspektivës së pacientëve në gazetari” bashkoi gazetaret Arbreshë Uka, Albina Selmanaj dhe Qëndresë Uka-Matoshi, përfaqësuesin e IKSHP-së Dr. Faik Hoti, si dhe Mark Kaqinarin nga Avokati i Popullit.
Paneli u moderua nga Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të AGK-së.
Diskutimet nxorën në pah sfidat me të cilat ballafaqohen gazetarët në raportimin mbi shëndetësinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet dhe projektet zhvillimore për përmirësimin e qasjes së pacientëve në shërbimet shëndetësore.
Pas panelit, pjesëmarrësit morën pjesë në një sesion reflektimi dhe ndanë mendime mbi hapat e ardhshëm, duke theksuar rolin e mediave në promovimin e një gazetarie pozitive dhe të përgjegjshme në fushën e shëndetësisë.
Ky aktivitet është pjesë e një bashkëpunimi të qëndrueshëm AGK – IHS, i cili tashmë ka ngritur kapacitetet e mbi 70 gazetarëve, ka kontribuar në ngritjen e vetëdijes qytetare dhe ka sjellë iniciativën e vetme për çmimet e raportimit më të mirë mbi diabetin. Përmes këtyre përpjekjeve, fuqizohet roli i gazetarisë si urë lidhëse mes qytetarëve, institucioneve dhe profesionistëve të shëndetit publik.



