Memli Krasniqi: Fushë-Kosova ka nevojë për kryetar të ri, Rrahim Tërnava ka ide dhe vizion për të ardhmen e kësaj komune
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka marrë pjesë në hapjen e fushatës zyrtare në Komunën e Fushë Kosovës, ku së bashku me kandidatin për kryetar komune, Rrahim Tërnava, janë pritur nga qindra qytetarë.
Kryetari i PDK-së ka deklaruar se Fushë Kosova ka nevojë për një kryetar të ri, me vizion të qartë për zhvillimin dhe transformimin e saj.
“Më 12 tetor, është momenti ta kthejmë faqen. T’i japim fund një dekade improvizimesh dhe të nisim epokën e vizionit dhe perspektivës. Sepse Fushë-Kosova nuk ka nevojë të ndërrojë fytyra brenda një partie – por të ndërrojë kryetarin. Të ndryshojë drejtimin. Të ecë përpara me ide dhe vizion.
Unë jam i bindur: sikur ky qytet të kishte pasur udhëheqjen që e meriton, sot Fushë Kosova do të ishte në një nivel tjetër zhvillimi – njësoj si Ferizaj, që falë Agim Aliut është shndërruar në qytet funksional, modern dhe në shërbim të komunitetit.
Dhe këtu hyn në lojë kandidati ynë, Rrahim Tërnava. Ai e mori Degën e PDK-së në kohë të vështira, e ngriti me mund dhe me besim. Si një trajner që e merr skuadrën në fund të tabelës dhe e ngjit me hapa të sigurt lart, ai e çoi këtë degë përpara. Në dy palë zgjedhje me radhë, ju e rritët besimin tek ai. Tani është koha që këtë besim ta kurorëzojmë – duke e bërë Kryetar të Komunës”, tha Krasniqi.
Kandidati i PDK-së për kryetar të ardhshëm të Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, ka shpalosur vizionin e tij me projekte të rëndësishme që do ta transformojnë këtë qytet.
“Do të ndërtojmë sheshin më të madh në Kosovë, një shesh prej 1 kilometri e 340 metrash, nga rrethi e deri në dalje të Fushë-Kosovës. Do të bëjmë nënkalimin për vetura, rrugët alternative përgjatë hekurudhës dhe mbi lumin Prishtevka, që lidhen me rrugën nacionale. Do të sjellim trenin motorik nga Grabovci në Prishtinë dhe nga Miradia e Epërme në Prishtinë – transport falas për nxënësit, studentët dhe të moshuarit, që do të lehtësojë komunikacionin për të gjithë. Do të ndërtojmë parkun e madh të gjelbër mbi hekurudhë, parkun e qytetit që do ta bëjë Fushë-Kosovën një qytet të gjallë e të bukur”, tha Tërnava.



