Ukraina sulmon me dron në Rusi, goditet rafineria e naftës – 1,800 km larg kufirit
Një sulm me dron shënjestroi një strukturë industriale në qytetin siberian të Tyumenit të hënën në mbrëmje, thanë autoritetet lokale, duke e cilësuar si sulmin e parë të tillë në qytet, më shumë se 1,800 km nga Ukraina.
Në një deklaratë në aplikacionin Telegram, autoritetet rajonale ruse thanë se tre dronë u “zbuluan dhe neutralizuan” brenda një kompleksi kompanie në lagjen Antipino në anën lindore të Tyumenit.
Autoritetet nuk specifikuan origjinën e dronëve dhe Ukraina ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Sipas mediave lokale, një rafineri e madhe nafte ishte në shënjestër.
Autoritetet rajonale thanë se shërbimet e shpëtimit nxituan në vendngjarje për të parandaluar “shpërthimin” e droneve, por media lokale MegaTioumen, duke cituar një dëshmitar okular, raportoi se një strukturë ftohëse u godit në rafineri.
Rajoni i Tyumenit, i pasur me hidrokarbure, ndodhet më shumë se 1,800 km në vijë të drejtë nga kufiri ukrainas. Ky është sulmi i parë me dron i raportuar në këtë territor që nga fillimi i ofensivës në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022.



