Akademikë, profesorë dhe ish-zyrtarë institucionalë i drejtohen Kuvendit me peticion, kërkojnë rezolutë për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve në Hagë
Akademikë, profesorë, ish-zyrtarë të lartë institucionalë i janë drejtuar me peticion Kuvendit të Kosovës.
Ata kanë kërkuar rezolutë kundër padrejtësive nga Gjykata Speciale.
Peticioni është nënshkruar nga ish-Avokati i Popullit, Ilmi Jashari, ish-kryetarët e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, profesorë, juristë, etj.
Njoftimi i plotë:
Mbi 300 akademikë, profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme dorëzojnë peticion në Kuvend:
Kërkohet miratimi i rezolutës për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve në Hagë
Prishtinë, 19.11.2025 – Sot, një grup i përfaqësuesve të qytetarëve, i përbërë nga juristë, akademikë dhe profesionistë të fushës, ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës peticionin për drejtësi. Ky peticion, i nënshkruar nga më shumë se 300 intelektualë të Republikës së Kosovës, përfshirë ish-gjyqtarë, akademikë, profesorë dhe juristë i bëjnë thirrje Kuvendit të miratojë një rezolutë që garanton standarde të drejta, të paanshme dhe transparente në proceset gjyqësore të zhvilluara në Dhomat e Specializuara.
Nismëtarët e kësaj iniciative janë:
- Ilmi Jashari, ish-Avokat i Popullit
- Prof. dr. Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese
- Prof. dr. Arta Rama, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese
- Prof. Donika Shahini, psikologe
- Alban Krasniqi, avokat
Ky mobilizim qytetar dhe profesional vjen si reagim ndaj shqetësimeve serioze për devijimin e procesit gjyqësor nga qëllimi i tij fillestar, si dhe ndaj pretendimeve për shkelje të të drejtave të njeriut. Nënshkruesit rikujtojnë se Dhomat e Specializuara u themeluan për të trajtuar akuzat e Raportit të Dick Marty-t, të cilat, pas një dekade hetimesh, nuk rezultuan të bazuara në mënyrë të tillë që të përfshiheshin në aktakuza.
Peticioni thekson shqetësimin për zgjatjen mbi pesë vjet të paraburgimit të ish-drejtuesve të UÇK-së një masë që bie ndesh me garancitë e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me gjykimin brenda një afati të arsyeshëm. Po ashtu, parashtruesit e këtij peticioni vlerësojnë se administrimi i drejtësisë në këtë rast ka krijuar perceptimin e anshmërisë në favor të prokurorisë, duke cenuar parimin e barazisë së palëve.
Nëpërmjet Draft-Rezolutës që shoqëron Peticionin, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkohet që:
- Të kërkojë nga Dhomat e Specializuara zbatimin rigoroz të standardeve për gjykim të drejtë, të paanshëm dhe transparent.
- Të sigurojë respektimin e të drejtave të të akuzuarve në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
- Të inkurajojë shtetet demokratike dhe organizatat ndërkombëtare për monitorim të shtuar të procesit, me qëllim identifikimin dhe parandalimin e shkeljeve procedurale.
Peticioni riafirmon detyrimin kushtetues dhe ligjor të institucioneve të Republikës së Kosovës për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut dhe për të garantuar një drejtësi që jo vetëm zbatohet, por edhe perceptohet si e drejtë dhe e paanshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë.











