Komuna e Mitrovicës nuk i’a vazhdoj kontratën, “Uniteti” njofton ndërprerjen e shërbimit të fshirjes së rrugëve e shesheve
Kompania Regjionale për Menaxhimin e Mbeturinave “Uniteti” ka ndërprerë fshirjen e rrugëve, largimin e deponive ilegale, zbrazjen e shportave rrugore nëpër sheshe, shetitore dhe deri te Liqeni Akumulues në Mitrovicë.
Kjo pasi që, sipas “Unitetit”, kontrata me Komunën e Mitrovicës ka përfunduar në tetor dhe e njëjta nuk është vazhduar nga komuna.
Njoftimi i KRM “Uniteti”:
Njoftohen qytetarët e Komunës së Mitrovicës se kontrata e punës për larjen dhe fshirjen e rrugëve, largimin e deponive ilegale, zbrazjen e shportave rrugore nëpër sheshe, shetitore dhe deri te Liqeni Akumulues, e cila ishte në mes të KRM “Uniteti” dhe Komunës së Mitrovicës, ka përfunduar që nga muaji tetor 2025.
Kjo kontratë, pavarësisht insistimit të KRM “Uniteti”, nuk është vazhduar nga punëdhënësi – Komuna e Mitrovicës.
Si pasojë e mosvazhdimit të kontratës, KRM “Uniteti” njofton qytetarët e Komunës së Mitrovicës se nga data 25.11.2025 nuk do t’i kryejë më këto shërbime.
Për rrjedhojë, rrugët e qytetit, sheshet dhe shetitoret deri te liqeni akumulues do të mbeten pa fshirje dhe larje, ndërsa të gjitha shportat e vogla nëpër rrugë, shetitore dhe deri te liqeni akumulues nuk do të zbrazen.
KRM “Uniteti” kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për situatën e krijuar pa fajin tonë. Në momentin që nënshkruhet kontrata me Komunën e Mitrovicës dhe vihet në dispozicion dinamika e punës, ne si kompani jemi të gatshëm të fillojmë menjëherë kryerjen e të gjitha shërbimeve që përfshihen në kontratë.
Me respekt,
KRM “Uniteti” Sh.A.



