Aleatët e Ukrainës thonë se kufijtë “nuk duhet të ndryshohen me forcë”

26 nëntor 2025 | 07:58

Udhëheqësit e asaj që njihet si Koalicioni i Vullnetit kanë shprehur mbështetje për “përpjekjet e presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës” në Ukrainë, duke përsëritur se kufijtë e këtij vendi “nuk duhet të ndryshohen me forcë”.

Në deklaratën e publikuar pas takimit të mbajtur të martën, udhëheqësit theksuan se çdo zgjidhje “duhet ta përfshijë plotësisht Ukrainën, ta ruajë sovranitetin e saj, të jetë në vijë me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ta garantojë sigurinë afatgjate [të Ukrainës]”, raporton CNN.

Takimi u udhëhoq përbashkët nga liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, ndërsa në të morën pjesë virtualisht edhe udhëheqës të tjerë botërorë, përfshirë sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Koalicioni “i mirëpriti garancitë se çështjet që u përkasin interesave evropiane dhe të NATO-s do të diskutohen ndaras, me përfshirjen e plotë të partnerëve evropianë dhe aleatëve të NATO-s” dhe u pajtua se vendimi për financimin e Ukrainës – përfshirë përdorimin e aseteve të pezulluara ruse – do të ishte “jetik”.

Në deklaratë u ritheksua se paqja duhet të mbështetet me “garanci të forta dhe të besueshme të sigurisë për Ukrainën”, ndërsa udhëheqësit e koalicionit “u pajtuan me sekretarin Rubio për ta përshpejtuar punën e përbashkët me Shtetet e Bashkuara për ta çuar përpara planifikimin” e këtyre garancive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Roberto Arlt Përktheu: Bajram Karabolli - Të lutem, më…