Ka nisur shqiptimi i gjobave përmes monitorimit të kamerave të sigurisë në Prishtinë

26 nëntor 2025 | 15:05

Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka njoftuar se ka filluar shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve në trafik, përmes monitorimit të kamerave të sigurisë që janë vendosur në rrugët e Prishtinës.

Në njoftim thuhet se ky sistem është funksionalizuar me qëllim të rritjes së sigurisë publike në rrugët e kryeqytetit, e po ashtu edhe me qëllim të zbulimit të rasteve të ndryshme.

“Me anë të këtyre kamerave do të mundësohet identifikimi në kohë reale i kundërvajtjeve, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i semaforëve, ndalimi në vende të palejuara dhe shkelje të tjera sipas Ligjit për rregullat e trafikut rrugor”, thuhet në njoftim.

Pas identifikimit gjobat thuhet se do të dërgohen në adresat postare të kundërvajtësve.

“Policia e Kosovës thekson se përdorimi i kamerave është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit të trafikut, duke synuar rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion dhe apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, që të respektojnë rregullat e trafikut, ngase qëllimi kryesor i këtij sistemi është parandalimi, siguria publike dhe ruajtja e jetës së qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka arritur marrëveshje koalicioni me…