Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë pranë njëra-tjetrës si kurrë më parë
Edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka uruar festën e 28 nëntorit.
Sipas Maqedoncit, sot zemra e çdo shqiptari rreh më fort.
“28 Nëntori, dita që na bashkon me rrënjët, me gjakun dhe me historinë e lavdishme të kombit tonë! Sot Në këtë ditë të veçantë kujtojmë betejat e Skënderbeut në Krujë, momentin e shenjtë të ngritjes së flamurit në Vlorë, lindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, ngjarje që nuk janë vetëm histori, por pjesë e shpirtit tonë kombëtar”, shkroi ai.
Maqedonci nuk la pa përmendur edhe Prekazin heroik.
“Nga Prekazi, ku u shkrua një nga kapitujt më të dhimbshëm e më të ndritur të lirisë, e deri te forca jonë e sotme, pasardhëse e UÇK-së, rrugëtimi ynë jetësor udhëhiqet nga amaneti: ta duam këtë tokë, ta mbrojmë këtë flamur dhe të mos harrojmë kurrë sakrificat që na sollën deri këtu”, shkroi ai.
Në fund të postimit, bashkë më urimin, ministri në detyrë ka edhe një mesazh.
“Në një botë ku kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë pranë njëra-tjetrës si kurrë më parë, për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët të kombit. Urime 28 Nëntori! Rroftë Shqipëria! Rroftë Kosova! Rroftë kombi shqiptar!”, përfundoi ai në postimin e tij në llogarinë zyrtare në Facebook.



