Krasniqi: Simbolikat e Speciales ndaj Thaçit krijojnë përshtypjen e një qasjeje që synon më shumë ta godasë emocionalisht
Meqenëse Gjykata Speciale ka caktuar seancën përgatitore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt e Hajredin Kuçi në ditën kur kombi shqiptar shënon festat e Nëntorit, analisti Albert Krasniqi ka thënë se simbolikat me të cilat po komunikon Specialja ndaj Thaçit të krijon përshtypjen e një qasjeje që synon më shumë ta godasë emocionalisht dhe ta poshtërojë simbolikisht sesa që të administrojë drejtësi të paanshme.
“Në ditën e lindjes së tij, ngritët aktakuza. Në ditën e lindjes së Flamurit Kombëtar caktohet seancë gjyqësore. Këto nuk janë rastësi. Simbolikat me të cilat po komunikon Gjykata Speciale ndaj presidentit Thaçi krijojnë përshtypjen e një qasjeje që synon më shumë ta godasë emocionalisht dhe ta poshtërojë simbolikisht, sesa të administrojë drejtësi në mënyrë të paanshme”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Krasniqi ka vlerësuar se Gjykata Speciale po dërgon mesazhe që nxisin dyshime të thella për motivet e saj.
“Në vend që të ndërtojë besim përmes transparencës dhe profesionalizmit, kjo gjykatë po dërgon mesazhe që nxisin dyshime të thella për motivet e saj dhe për mënyrën se si po e menaxhon këtë proces”, ka shkruar Krasniqi.



