Në përurimin e shtatores, Limaj: Tahir Sinani – zemër e madhe, luftëtar i pashoq, hero i kombit
Sot, në Ditën e Flamurit, në Prizren u përurua shtatorja e Heroit të Kombit, Tahir Sinani.
Në ceremoninë e mbajtur më 28 Nëntor, ishte i pranishëm edhe Fatmir Limaj, i cili këtë moment e cilësoi si një nder të madh për t’i bërë homazh mikut dhe bashkëluftëtarit të tij.
“Tahir Sinani ishte jo vetëm një luftëtar i pashoq, por një patriot i madh, njeri me zemër të madhe që jetën ia kushtoi lirisë së kombit”, ka deklaruar Limaj, duke theksuar se sakrifica dhe qëndresa e tij do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë kombëtare.
Ai shtoi se figura e Tahir Sinanit është një simbol i guximit, atdhedashurisë dhe unitetit, ndërsa respekti për të është obligim i brezave që vijnë.
“Sot, me respekt dhe krenari, e nderuam figurën e tij – një hero që do të mbetet udhërrëfyes për kombin tonë”, ka shkruar Limaj, duke përmbyllur me një mesazh mirënjohjeje:
“Lavdi jetës dhe veprës së komandant Tahir Sinanit!”



