Kryeprokurori i Shtetit ricakton tri lëndë penale në Prishtinë në rastin e Arlinda Zekajt

27 tetor 2026 | 16:02

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nxjerrë tri vendime për ricaktimin e lëndëve penale që ndërlidhen me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt, nga Prokuroria Themelore në Pejë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendimet janë marrë më 27 tetor, në mbështetje të Ligjit për Prokurorin e Shtetit, duke marrë parasysh rëndësinë e veçantë të këtyre çështjeve, pasojat e rënda dhe nevojën për trajtim efikas, objektiv e të paanshëm.

Ricaktimi synon të sigurojë që lëndët të trajtohen me kujdesin dhe seriozitetin e duhur, në përputhje me ligjin dhe rrethanat e secilit rast.

Paralelisht, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se është duke analizuar në mënyrë të gjithanshme të gjitha veprimet dhe mosveprimet e mundshme institucionale lidhur me trajtimin e rasteve të raportuara nga e ndjera.

Ky proces përfshin shqyrtimin e kronologjisë së veprimeve të ndërmarra, vendimeve të nxjerra, vlerësimit të rrezikut dhe masave të marra për mbrojtjen e saj, si dhe të rrethanave të tjera që mund të ndihmojnë në përcaktimin e përgjegjësive eventuale.

Zyra ka theksuar se do të kërkojë llogaridhënie të plotë për çdo shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprim që mund të konstatohet. Nëse evidentohen shkelje ose përgjegjësi, do të ndërmerren masa dhe do të kërkohet përgjegjësi për zyrtarët përkatës, në përputhje me ligjin.

Qëllimi i procesit është që të sqarohen plotësisht të gjitha rrethanat, të identifikohen mangësitë eventuale dhe të trajtohet me seriozitet përgjegjësia institucionale dhe individuale. Zyra ka bërë të ditur se vlerësimi do të bazohet në fakte, dokumentacion dhe prova, pa paragjykuar përgjegjësinë e ndonjë personi.

Kryeprokurori i Shtetit ka ritheksuar se mbrojtja e jetës, zbatimi i ligjit dhe llogaridhënia institucionale janë detyrime që nuk mund të neglizhohen. Sipas tij, çdo raportim duhet të trajtohet me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme, ndërsa çdo dyshim për mosveprim ose trajtim të papërshtatshëm duhet të shqyrtohet deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

Në fund, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka rikonfirmuar përkushtimin që procesi të zhvillohet me paanshmëri, profesionalizëm dhe vendosmëri, në funksion të zbatimit të ligjit, garantimit të llogaridhënies dhe ruajtjes së besimit të publikut në sistemin prokurorial.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën përfaqësuesit…