Hoxhaj: Kosovës i duhet kthjellim politik në vitin 2026, përndryshe rrezikon të humbasë edhe 10 vjet të tjera

04 dhjetor 2025 | 11:32

Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka dhënë një paralajmërim të fortë në një intervistë, duke thënë se Bashkimi Evropian, i cili ende mbahet peng nga pesë shtete që nuk e njohin Kosovën dhe që ato vende ndjekin linja pro-ruse, nuk mund të ketë rol efektiv në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur në vitin 2025 mund të përsëritet në një version edhe më të errët në vitin 2026.

“Nuk mendoj që një Bashkim Evropian i cili edhe më tutje bllokohet nga 5 vende jonjohëse, të cilat në thelb kanë një politikë pro-ruse, Sllovakia e Fico-s, mund të ketë rrol në një dialog të ndërmjetësuar nga ana e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se gjatë vitit 2025 Kurti ka treguar se ose i krijon institucionet sipas kushteve dhe parametrave të tij, ose i përjashton të gjithë të tjerët.

“Se çfarë ka ndodhë në 2025, mund të përsëritet në një version edhe më të errët në 2026. z. Kurti na ka bërë me dije gjatë 2025 që ai ose i krijon institucionet me kushtet e tij, parametrat e tij dhe me kushtet e tij të të menduarit ose i përjashton të gjithë të tjerët.”, ka thënë Hoxhaj në “RTV21”.

Enver Hoxhaj ka kujtuar edhe sulmin publik të Kurtit me termin “hajvanat”, duke nënvizuar se nuk ishte drejtuar opozitës, por qytetarëve që nuk ia dhanë votën.

“Kur ai e ka sulmuar opozitën me termin ‘hajvanat’ nuk e ka pas me ne, e ka pas me ata që nuk ia kanë dhanë votën”, ka thënë Hoxhaj

Hoxhaj ka paralajmëruar se vitit 2026 i duhet kthjellim politik, përndryshe Kosova rrezikon të humbasë edhe më shumë kohë teksa Shqipëria pritet të anëtarësohet në BE në vitet 2029-2030.

Në fund, Hoxhaj ka theksuar se tash është në dorën e qytetarëve t’i japin vendit qartësinë që i duhet.

“Ose kemi me u kthjellë brenda vitit 2026 ose ky vend mund të krijojë një qartësi për veten kur e sheh Shqipërinë në 2029-30 duke u anëtarësuar në BE. Atëherë ka mundësi që na bie ndërmend që i kemi humbë 10 vite prej 2019-20 deri 2030. Tash është në dorë të qytetarëve a do me i ofruar vendit qartësi”, ka thënë Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jada Pinkett Smith është përfshirë në një çështje të re…