Bardhyl Mahmuti dhe Isuf Sherifi kërkojnë krijimin e festivalit ‘Shpat Kasapi’
Veprimtari Bardhyl Mahmuti dhe shkrimtari Isuf Sherifi, i janë drejtuar me një kërkesë publike Komunës së Tetovës, artistëve dhe intelektualëve duke kërkuar që ta institucionalizojnë një festival, i cili do ta mbante emrin e këngëtarit Shpat Kasapit, i cili ka ndërruar jetë para disa ditësh.
“Krijimi i një festivali që do të mbante emrin e tij dhe që do të organizohej çdo vit në Tetovë, në qytetin e lindjes, në javën e parë të muajit maj (që përkon me ditëlindjen e Shpat Kasapit, 1 maj), do të ishte vendimi më i mirë për të shprehur mirënjohjen tonë për kontributin e tij”, është thënë në kërkesën e cila mban emrin e Mahmutit dhe Sherifit.
Kërkesa e plotë:
FESTIVALI “SHPAT KASAPI”
– KRYETERIT TË KOMUNËS SË TETOVËS
– KËSHILLIT KOMUNAL TË TETOVËS
– ARTISTËVE TË ESTRADËS MBARËKOMBETARE
– INTELEKTUALËVE TË FUSHAVE TË NDRYSHME
KËRKESË PUBLIKE: Të institucionalizohet festivali që do të përjetësonte emrin e këngëtarit Shpat Kasapi.
I nderuari kryetar i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami
I nderuari kryetar i Këshillit Komunal të Tetovës, z. Jusuf Abduli,
Të nderuar këshilltarë të Këshillit Komunal të Tetovës,
Të nderuar artistë të estradës mbarëkombëtare,
Të nderuar intelektualë të fushave të ndryshme,
Vdekja e papritur e këngëtarit të mirënjohur Shpat Kasapi shkaktoi një pikëllim mbarëkombëtar. Është e tepër të renditim në këtë kërkesë meritat e mëdha që ka pasur ky artist në afirmimin e artit dhe kulturës shqiptare. Meritat e tij janë vënë në spikamë edhe në lajmet që kanë publikuar mediat ndërkombëtare.
Krijimi i një festivali që do të mbante emrin e tij dhe që do të organizohej çdo vit në Tetovë, në qytetin e lindjes, në javën e parë të muajit maj (që përkon me ditëlindjen e Shpat Kasapit, 1 maj), do të ishte vendimi më i mirë për të shprehur mirënjohjen tonë për kontributin e tij.
Lusim autoritetet komunale që të marrin në shqyrtim këtë kërkesë dhe të miratojnë një vendim, që do t’i jepte vulë institucionale Festivalit “Shpat Kasapi”.
Lusim të gjithë artistët dhe intelektualët e fushave të ndryshme që ta mbështesin këtë nismë!
Me respekt
Bardhyl Mahmuti&Isuf Sherifi
(Shkrimtarë nga Tetova)



