Kompozitori i fshirë pa mëshirë nga historia

13 tetor 2026 | 08:32

Gjatë karrierës së tij, John Ireland u vlerësua shumë dhe veprat e tij u interpretuan shpeshherë. E, përse tani është harruar?

Nga: Simon Heffer / The Telegraph [titulli: The tortured composer who has been cruelly airbrushed from history]

Disa kompozitorë të mirë zhduken nga vëmendja pas vdekjes, pjesërisht sepse nuk mund ta promovojnë më muzikën e tyre, ose pjesërisht sepse dalin nga moda. Kompozitorët britanikë, ndoshta për shkak të karakterit të perceptuar – gabimisht – si të mbyllur brenda idiomës së tyre muzikore, duken veçanërisht të brishtë: kjo i ndodhi madje edhe njeriut që sot konsiderohet gjerësisht si kompozitori ynë më i madh, Vaughan Williams, i cili – me përjashtim të dukshëm të vitit të njëqindvjetorit të tij më 1972 – u interpretua pak për rreth 30 vjet pas vdekjes së tij më 1958.

John Ireland, shtatë vjet më i ri se Vaughan Williamsi, ka pësuar një zhdukje të tillë qëkur vdiq më 1962. Pavarësisht se është rishfaqur herë pas here në sallat e koncerteve, ai është renditur jo vetëm në divizionin e dytë të kompozitorëve anglezë, por edhe në pjesën e poshtme, për shkak se luhet shumë pak muzika e tij. Veprat e tij janë incizuar: ai ishte një miniaturist i shkëlqyer dhe muzika e tij për piano dhe këngët gjenden në një përmbledhje të bukur të labelit Lyrita. Ashtu si Vaughan Williamsi, ai studioi në Kolegjin Mbretëror të Muzikës [Royal College of Music] në vitet 1890 dhe dha mësim atje që nga vitet 1920. Gjatë jetës së tij, kur jeta muzikore britanike ishte e mbushur me kompozitorë të shkëlqyer, ai u vlerësua shumë, gjë që e bën edhe më të jashtëzakonshme rënien e tij pas vdekjes.

Ndoshta një pjesë e problemit ishte përqendrimi i tij te muzika kamertale, kryesisht e bukur dhe melodike, por prej së cilës pak vepra ngrihen aq shumë mbi pjesën tjetër sa t’i kenë siguruar atij një reputacion të madh. Nëse emri i tij njihet gjerësisht sot, kjo është për melodinë e tij për Dashurinë e panjohur [Love Unknown] e cila gjendet pothuajse në çdo libër himnesh, ose për kompozimin e tij madhështor mbi poemën Ethet e detit [Sea Fever] të John Masefieldit e cila është incizuar shumë herë. Disa orë të kaluara me këngët ose pjesët e tij për piano nuk janë kurrë kohë e humbur, por ato e kanë të vështirë të mbeten menjëherë në kujtesë, kryesisht për shkak të përmbajtjes së tyre; i takon dëgjuesit të vendosë nëse kjo pasqyron mungesë shpikjeje apo frymëzimi, megjithëse cilësia teknike është e padiskutueshme.

Më e çuditshmja nga të gjitha është mënyra se si një nga veprat e tij u vlerësua shumë dhe u interpretua shpeshherë; gjatë jetës së tij, por tani duket se nuk është më pjesë e repertorit. Koncerti për piano [Piano Concerto] i vitit 1930 pati një pritje entuziaste: u interpretua shpesh, është incizuar shumë herë dhe duket se vendosi njëfarë trendi në kompozimin britanik. Brenda dy ose tre vjetësh, Vaughan Williamsi dhe John Fouldsi kishin shkruar koncertet e tyre (i këtij të fundit, Triptik dinamik/Dynamic Triptych, ndoshta më emocionuesi dhe më origjinali nga të gjithë), dhe deri në fund të dekadës Benjamin Britteni kishte krijuar të vetin.

Vepra e Irelandit është në tri kohë, dy të fundit luhen pa ndërprerje, dhe bollëku i melodisë, por edhe shkrimi i shkëlqyer orkestral, shpjegojnë suksesin e saj. Premiera e saj, në një Koncertin e Promenadës [Promenade Concert], me Helen Perkinin në piano, u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe disa nga pianistët më të mëdhenj të botës – përfshirë Arthur Rubinsteinin dhe Clifford Curzonin – e interpretuan atë. Vepra i ishte kushtuar Perkinit, por historia ka një fund fatkeq. Irelandi, për të cilin mendohej gjerësisht se ishte homoseksual, donte të martohej me të; ajo u martua me një arkitekt dhe Irelandi e tërhoqi përkushtimin. Në vitet e fundit të jetës, ai rifilloi kontaktet me të, jo për t’i ndrequr marrëdhëniet, por për t’i shkruar një varg letrash të pakëndshme. Të thuash se kishte “temperament krijues” do të ishte zbutje e skajshme e gjërave.

Shkrimi orkestral në Koncertin për piano të tij dhe në rreth 15 vepra të shkurtra, të shkruara nga vitet 1890 deri në vitet 1950, tregon një zotërim të kësaj forme që të bën të të vijë keq që ai nuk shkroi kurrë ndonjë simfoni. Ato janë incizuar në mënyrë të shkëlqyer nga Adrian Boulti për Lyrita dhe nga John Wilsoni për produksioninChandos. Por, askund talenti i tij nuk është më i dukshëm sesa në kantatën e tij të vitit 1937, Këto gjëra do të bëhen [These Things Shall Be], një kompozim mbi poemën A Vista të poetit viktorian John Addington Symonds, për bariton dhe kor.

Ndërsa perspektiva e luftës po bëhej gjithnjë e më e madhe, dhe një vit pas Na jep paqen [Dona Nobis Pacem] të Vaughan Williamsit, me tematikë të ngjashme, Irelandi i përshkroi vargjet (të cilat shprehin dëshirën që kombet të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin) si “një shprehje të ndjenjës kombëtare britanike të asaj kohe”. Koha e fundit nga të tria përmban melodinë më të bukur që ai shkroi ndonjëherë dhe një nga më të bukurat në kanunin britanik. Pavarësisht kësaj dhe popullaritetit fillestar të veprës, ajo doli shpejt nga moda, pasi ndjenjat që shprehte u tejkaluan nga pasojat e ligësisë së nazizmit.

Megjithatë, tani mund ta dëgjojmë si shprehje të një shprese të papërmbushur. Çuditërisht, ishte e vetmja vepër e tij korale. Jam i bindur se koha e Irelandit do të vijë përsëri, jo më pak për shkak të kësaj kantate dhe Koncertit për piano; por nëse ndonjë nga miniaturat e tij luhet në ndonjë sallë recitalesh pranë jush, ato do të ishin vendi i përkryer për të filluar për ata që nuk e njohin muzikën e tij. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Valdrin Geci, djali i Gani Gecit ka reaguar lidhur me…