Blerim Latifi: “Zjarri i Ballkanit” i gazetarit austriak L. A. Matzhold – një libër që ia vlen të lexohet
Profesori universitar dhe analisti politik, Blerim Latifi shkrua për librin “Zjarri i Ballkanit”: Vëzhgime udhëtimi të një gazetari. Libër të cilin mund ta gjeni në Librarinë Artini-Toena në Prishtinë.

Blerim Latifi
Gazetari austriak L. A. Matzhold, në vitin 1936, ndërmori një udhëtim nëpër vendet e Ballkanit. Përjetimet dhe vëzhgimet e tij i botoi në librin Zjarri i Ballkanit: Vëzhgime udhëtimi të një gazetari. Reportazhet e tij na japin skena nga jeta e përditshme e njerëzve të asaj kohe, skena që tregimet e mëdha historiografike, të përqendruara te shtetet, luftërat dhe elitat politike, rëndom ia lënë harresës.
Në Beograd ai sheh përpjekjet e regjimit monarkist për ta modernizuar Serbinë, por rrugët dhe kafenetë e qytetit e bindin se, pavarësisht fasadës europiane, “serbi mbetet oriental”.
Në njërën prej këtyre kafeneve një falltore rome i parashikon se viti 1940 do të jetë viti më fatkeq i shekullit XX për Europën. Çfarë profecie e saktë! Çfarë shikimi i kthjellët i së ardhmes në mbetjet e turbullta të kafesë në filxhan!
Rruga përmes Nishit e shpie në Shkup. Karakteri shumëetnik i qytetit i bën përshtypje, po ashtu edhe atmosfera e tij fetare. Ai ndesh njerëz të sëmurë që refuzojnë kontrollin e mjekut, sepse veglat e tij i konsiderojnë vepër të djallit; tregtarë të vegjël që shesin mallra nga më të ndryshmet; dhe një ndërtesë të shëmtuar dykatëshe që mban emrin pompoz “Hotel Hollywood”.
Ballkani i Matzhold-it është një botë kontrastesh, ku moderniteti dhe arkaizmi bashkëjetojnë në të njëjtën rrugë.
Nga Shkupi niset drejt Prizrenit. Rrugës takon shqiptarë të heshtur e kokëulur, pasojë e sundimit të ri serb. Prizreni i pëlqen me pamjen e tij piktoreske, por pas bukurisë së peizazhit ai sheh edhe fytyrën e varfërisë.
Nuk i shpëtojnë syrit dyqanet e zejtarëve, kafenetë turke ku loja me letra zgjat deri në agim, romët e zbathur që enden rrugëve në kërkim të lëmoshës dhe, siç shkruan vetë ai, “në shumë rrugica të ngushta figura të mjerueshme, gjysmë të uritura, madje gjysmë të vdekura, shqiptarë të sëmurë nga malaria e tuberkulozi, të cilëve nuk u përshtatet sundimi serb dhe që më parë zgjedhin vdekjen sesa t’i shërbejnë pushtetit të huaj”.
Në këto vëzhgime shqiptarët shfaqen të shtypur nga një barrë e dyfishtë: nga njëra anë sundimi serb, i cili nuk u njeh as të drejtat më elementare kombëtare, dhe nga ana tjetër trashëgimia socio-kulturore e një bote osmane që po jepte shpirt, por që vazhdonte të rëndonte mbi jetën e përditshme. Mjerimi që përshkruan Matzhold-i nuk është vetëm ekonomik; ai është edhe shoqëror, kulturor dhe moral.
Kulmi i kësaj tabloje vjen të nesërmen, kur gazetari austriak ndeshet me diçka të pakonceptueshme për mentalitetin perëndimor. Tregu i Prizrenit, sipas tij, kishte një seksion të veçantë që quhej “Tregu i Nuseve”. Aty, shkruan ai, mblidheshin burra për të shitur ose blerë gra, të trajtuara si një mall i zakonshëm tregu. Dhe ja detaji që e trondit më së shumti: “Çmimi për një vajzë të re, të bukur, të rritur mirë arrin deri në shtatë mijë dinarë. Çmimi mesatar është rreth tre mijë dinarë. Të vejat vlejnë vetëm gjysmën.”
Matzhold vëren se shteti serb nuk e ndalon këtë praktikë te shqiptarët e Kosovës, ndërkohë që në Shqipëri mbreti Zog e kishte ndaluar me ligj qysh në vitin 1930.
Ky kontrast nuk është pa domethënie. Prapambetja sociale e kulturore e shqiptarëve të Kosovës nuk e shqetësonte administratën serbe. Përkundrazi, ajo i shërben politikës së saj. Një popullsi e varfër, e paarsimuar dhe e mbërthyer nga zakonet arkaike sundohet më lehtë.
Njëkohësisht, ajo furnizonte me argumente propagandën zyrtare serbe, e cila përpiqej t’i paraqesë shqiptarët si mbetje otomane në zemër të Europës, popullsi që, sipas kësaj logjike, e kishte vendin në Anadoll dhe jo në Ballkan.
Pas Prizrenit, Matzhold niset drejt Shqipërisë.
Në Morinë ndalet për një bisedë me një doganier serb. E pyet pse autoritetet i trajtojnë aq keq shqiptarët. Përgjigjja që merr është stereotipi zyrtar serb: “Sepse janë anarkistë, hajdutë dhe vrasës.” Në pak fjalë përmblidhet gjithë arsenali i paragjykimeve me të cilat justifikohej diskriminimi dhe shtypja e shqiptarëve.
Kufiri mes dy vendeve shënohet nga një tra i thjeshtë prej druri. Në anën tjetër qëndrojnë xhandarët shqiptarë me uniforma të arnuara dhe pushkë të vjetra, shenja të qarta të varfërisë së shtetit shqiptar, i cili kishte vetëm pak vite që kishte arritur njëfarë stabiliteti politik.
Megjithatë, ndryshe nga arroganca që kishte ndeshur në anën serbe, këta roje kufitare e presin me mirësjellje të huajin. E ftojnë në kasollen e tyre, i ofrojnë kafe turke dhe cigare. Varfëria është e dukshme, por po aq e dukshme është edhe mikpritja.
Peizazhi nga Morina drejt Kukësit i shfaqet Matzhold-it melankolik dhe i zymtë. Malet e zhveshura, fshatrat e rrallë dhe rruga e dëmtuar krijojnë përshtypjen e një vendi të lënë pas dore nga historia. Në fakt, deri në ndërtimin e Autostradës së Kombit në vitin 2012, shumë udhëtarë do të mund të kishin të njëjtën ndjesi që përshkruante gazetari austriak shumë dekada më parë.
Kukësi që sheh i ngjan më shumë një katundi sesa një qyteti. Aty Matzhold mëson se prej dy vitesh asnjë i huaj nuk kishte kaluar andej. Një tregues domethënës i izolimit dhe harresës në të cilën jetonte kjo pjesë e Shqipërisë.
Por ajo që i bie menjëherë në sy është diçka tjetër: askund nuk shihen gra. Në rrugë ka vetëm burra që vijnë e shkojnë. E vetmja fytyrë gruaje që has është fotografia e një valltareje nudo, e varur në murin e një kafeneje me emrin ironik “Sport”.
Megjithatë, në qytet vërehen edhe përpjekjet e qeverisë së Zogut për të sjellë një grimë moderniteti. Pak infrastrukturë, disa ndërtesa publike dhe, mbi të gjitha, një shkollë ku mësuesi dhe gruaja e tij përpiqen t’u mësojnë fëmijëve “neoshqiptarizmën”, një formë e re e atdhedashurisë, e shkëputur nga besnikëritë fisnore e krahinore dhe e orientuar drejt shtetit kombëtar.
Më pas gazetari austriak ngjitet në malësitë e Bicajt, Kolesjanit dhe Ujmishtit. Atje e pret mikpritja tradicionale shqiptare. Në odat e burrave dëgjon këngë barinjsh që vajtojnë humbjen e Kosovës dhe regjistron vargjet e tyre si dëshmi të një kujtese kolektive që mbijeton përmes folklorit.
Por edhe këtu gruaja mbetet pothuajse e padukshme në jetën publike. Jashtë mureve të shtëpisë shihen vetëm burrat. Të vetmet gra që i zënë sytë janë lypset rome me trastat e tyre. Patriarkaliteti qëndron i patundur si kullat e gurta që ngrihen mbi fshatrat e varfra të malësisë.
Rrëfimin e tij për shqiptarët Matzhold e përfundon në Ujmisht, aty ku pak kohë më më parë adjutanti i rebeluar i Zogut, Muharrem Bajraktari, kishte nisur kryengritjen e dështuar kundër Tiranës. Në sytë e gazetarit austriak, historia e tij merr përmasat e një aventure donkishoteske. Bajraktari kishte ngritur muret e një kështjelle të vogël, prej nga mendonte t’u bënte ballë forcave qeveritare. Fundi ishte i parashikueshëm: kryengritja dështoi dhe ai u arratis në Jugosllavi.
Por bashkëfshatarët e tij kishin një shpjegim tjetër. Sipas tyre, Bajraktari kishte thyer tabu të vjetra të fisit. Kishte prerë drurët e një pylli të shenjtë dhe kishte shpërfillur një ogur të keq: ulërimën e ujqërve që ishte dëgjuar natën para shpërthimit të kryengritjes. Për ta, disfata nuk ishte pasojë e epërsisë ushtarake të Tiranës, por ndëshkim i rendit të padukshëm që sundonte mbi malet e tyre.



