Luka Modric zbulon prapaskenat: Doja kalimin te Chelsea para Real Madridit
Mesfushori Luka Modric ka zbuluar se gjatë kohës së tij te Tottenhami kishte dashur të transferohej te Chelsea, shumë kohë përpara se të nënshkruante me Real Madridin në vitin 2012.
Kroati që sot luan për AC Milanin, ka treguar se si verën e vitit 2011 e kaloi mes tensioneve, pasi kërkesa e tij për t’u larguar u refuzua disa herë nga drejtuesit e Spurs.
Modric iu bashkua Tottenhamit në vitin 2008 pas largimit nga Dinamo Zagreb dhe brenda pak kohësh u bë një nga mesfushorët më të rëndësishëm në Ligën Premier. Tre vjet më vonë, ai kërkoi të kalonte te Chelsea, klub që bëri oferta të shumta për të, por që u refuzuan kategorikisht nga Daniel Levy.
“Ndoshta nuk duhej ta kisha thënë publikisht që doja të largohesha”.
“Edhe ashtu, te Tottenhami bëra shumë mirë. Ata ishin shumë të ashpër me mua, dhe kryetari, Daniel Levy, ma bëri të qartë në takimin tonë të parë se nuk kishte asnjë mundësi të më linin të largohesha”.
“Pas kësaj, vazhdova sikur të mos kishte ndodhur asgjë. E dija që do të ishte e komplikuar; të dy klubet janë në Londër dhe ekziston një rivalitet”.
“Doja të largohesha, edhe pse e dija që do të ishte shumë e vështirë”.
“Në fund, transferimi nuk u realizua dhe vazhdova të luaja, dhe ndoshta ishte një nga sezonet e mia më të mira. Përfunduam të katërtit; atë vit Chelsea e fitoi Ligën e Kampionëve”.
“Sezoni ishte fenomenal dhe një vit më vonë erdhi një mundësi edhe më e madhe. Dhe në fund, gjithçka doli edhe më mirë; ndoshta po të kisha shkuar te Chelsea, nuk do të kisha shkuar kurrë te Real Madridi”.
Më pas, vetëm një sezon më vonë, ai realizoi transferimin e tij të madh te Real Madridi, ku fitoi 28 trofe, gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve dhe Topin e Artë të vitit 2018, duke u bërë një figurë kyçe në historinë e klubit.
Në La Liga regjistroi 30 gola dhe 63 asistime në 394 ndeshje, duke formuar treshe legjendare në mesfushë me Toni Kroosin dhe Casemiron./Telegrafi



