FFK-ja investon në infrastrukturë, nis ndërtimi i fushës së FC Prishtinës në Bërnicë (video)
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po vazhdon investimet në infrastrukturën sportive në kuadër të programit HatTrick të UEFA-s.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë të ditur se projekti i radhës është ndërtimi i fushës së futbollit për FC Prishtinën në Bërnicë, e cila do t’i shërbejë klubit për stërvitje, përgatitjen e skuadrës dhe zhvillimin e talenteve të reja.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka theksuar se investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet.
Sipas tij, krijimi i hapësirave të përshtatshme për stërvitje dhe puna me gjeneratat e reja janë hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit të futbollit në Kosovë.
Ademi ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin me UEFA-n përmes programit HatTrick, duke theksuar se FFK-ja do të vazhdojë të investojë në projekte që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve për sukseset e ardhshme të futbollit kosovar.
Në kuadër të postimit, presidenti i FFK-së ka publikuar edhe një video që paraqet punimet në infrastrukturën futbollistike.



