Osmani viziton Gjilanin: Flet për projekte të reja zhvillimore dhe takime frymëzuese
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një vizitë pune në Gjilan, ku është pritur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, të cilin e ka uruar për mandatin e tij të dytë.
Gjatë takimit është diskutuar për projektet që pritet të sjellin më shumë zhvillim, mundësi të reja dhe një vizion të qëndrueshëm për qytetin.
Presidentja Osmani ka vizituar Shkollën e Muzikës dhe të Arteve Pamore, ku është pritur me performanca nga Kori i Grave “Muza”, si dhe kopshtin “Integj” ku ka takuar me fëmijët dhe edukatoret. Ajo ka vlerësuar atmosferën kreative dhe përkushtimin në institucionet arsimore të qytetit.
Gjatë vizitës, Osmani është njoftuar edhe me arritjet e kompanisë “InterPLAST TROCAL”, të cilën e ka cilësuar si një shembull të inovacionit dhe punës së mirë në nivel rajonal.
Presidentja është ndalur edhe në klubin e futbollit “Drita”, ku përgëzoi ekipin për sukseset e tyre në arenën vendore dhe evropiane, duke theksuar se rezultatet e tyre e bëjnë Kosovën krenare.
Në përmbyllje, Presidentja Osmani ka falënderuar qytetarët e Gjilanit për mikpritjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm për të ardhmen e qytetit.



