Aksion i doganës në Ferizaj, zbulohen barna ilegale (video)
Njësitë antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zhvilluar një kontroll operacional në një barnatore në qytetin e Ferizajt, ku kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme barnash të futura në mënyrë të paligjshme në tregun farmaceutik.
Gjatë kontrollit, doganierët kanë konstatuar se një pjesë e produkteve medicinale po qarkullonin pa banderola, duke mos kaluar përmes procedurave të rregullta doganore.
Sipas doganës, kjo përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, pasi barnat e tilla nuk i nënshtrohen kontrolleve zyrtare të cilësisë dhe sigurisë.
“Në total janë konfiskuar 153 copë artikuj medicinalë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë preparate që qarkullojnë vetëm me recetë, produkte terapeutike për sëmundje kronike, medikamente dermatologjike, antiepileptikë, antihipertensivë dhe produkte të tjera farmaceutike të ndjeshme. I gjithë malli është konfiskuar sipas procedurave ligjore dhe është dërguar në depot doganore për trajtim të mëtejshëm, ndërsa rasti është iniciuar si kundërvajtje doganore sipas kodit doganor dhe akcizave të Republikës së Kosovës. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrollit në tregun farmaceutik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e qarkullimit të barnave të pasigurta.”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.



