Rooney: Salah po dëmton veten me deklaratat e fundit
Vitet kalojnë, por futbolli vazhdon të mbetet po aq i paparashikueshëm sa edhe i ndërlikuar. Vetëm pak muaj më parë, Liverpool festonte triumfin në Premier League pasi kishte lënë pas çdo kundërshtar. Qëndrimi i Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk, të cilëve u skadonte kontrata, shihej si garanci për vazhdimësinë e suksesit në “Anfield”.
Megjithatë, gjatë verës ndodhi një kthesë e papritur: Luis Diaz u largua pasi, sipas mediave, nuk ishte vlerësuar sa duhet nga klubi. Situata u rëndua edhe më shumë pas vdekjes tragjike të Diogo Jota në një aksident rrugor. Edhe pse Liverpool bëri investime të mëdha në merkato, klubi po kalon një periudhë të vështirë sportive. Për më tepër, marrëdhëniet mes Salah dhe trajnerit Arne Slot thuhet se janë tensionuar ndjeshëm.
“Papritur s’kemi më asnjë komunikim. Kam përshtypjen se klubi më ka lënë të ekspozuar dhe po më bëjnë fajtor vetëm mua”, deklaroi Salah pas ndeshjes në “Elland Road”.
Deklaratat e tij kanë ngjallur reagime, mes tyre edhe nga legjenda e futbollit anglez Wayne Rooney, i cili kritikoi qasjen e sulmuesit egjiptian.
Sipas Rooneyt, trajneri Slot duhet të tregojë autoritet dhe t’i bëjë të qartë Salah se ajo sjellje nuk tolerohet. Ai u shpreh se me këtë qëndrim, Salah po dëmton figurën e tij te Liverpool dhe po tregohet i papërgjegjshëm ndaj bashkëlojtarëve, stafit dhe tifozëve. Rooney theksoi gjithashtu se Egjiptiani ka krijuar një atmosferë të rënduar në dhomat e zhveshjes, sidomos tek lojtarët e rinj, dhe se me gjasë do të pendohet për këtë veprim.



