Auditimi identifikon mangësi në procesin e ndërtimit të objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në ShSKUK

10 dhjetor 2025 | 11:59

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të pajtueshmërisë “Ndërtimi i objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për periudhën 2018 – qershor 2025.

Auditimi ka vlerësuar pajtueshmërinë e procesit të ndërtimit të objektit me rregullat dhe kërkesat ligjore që nga procesi i buxhetimit dhe planifikimit, procedurat e tenderimit deri te menaxhimi i fondeve dhe implementimi i kontratës.

Procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në procesin e buxhetimit, tenderimit dhe menaxhimit të fondeve.

Auditimi vë në pah mospërputhje në planifikimin buxhetor për ndërtimin e objektit për klinikat Hemato-Onkologji dhe Nefrologji, qasje të dyfishtë në hartimin e specifikave teknike, mospërputhje në mes të dokumentacionit teknik të projektit dhe paramasës, si dhe mangësi në procesin e vlerësimit të ofertës gjatë procesit të tenderimit dhe në procesin e menaxhimit të shpenzimeve.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se mangësitë e evidentuara nga auditimi reflektojnë nevojën për qasje më sistematike dhe respektim të plotë të kornizës ligjore në zbatimin e projekteve.

Kjo do të mundësojë rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit në menaxhimin e fondeve publike.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë pesë rekomandime për të përmirësuar dhe siguruar mbarëvajtjen e proceseve nga faza e planifikimit e deri te zbatimi i tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, u ka bërë thirrje përfaqësuesve…