Tragjedia e një pacienti nga Kaçaniku pas ndërhyrjes kirurgjikale në Turqi

12 dhjetor 2025 | 11:07

Shkruan: Prof. Ass. dr. Ferat Sallahu-kirurg

Tragjedia që goditi ditëve të fundit familjen nga Kaçaniku, e cila humbi djalin e tyre të ri pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për ngushtim të lukthit në Turqi, ka tronditur komunitetin mjekësor dhe opinionin publik, duke hapur sërish një debat të domosdoshëm mbi sigurinë, informimin dhe përgjegjësinë në turizmin shëndetësor. Së pari, ngushëllimet më të sinqerta shkojnë për familjen e viktimës. Humbja e një jete të re nuk është statistikë – është një boshllëk i pamatë, dhimbje e paimagjinueshme dhe një plagë që prek gjithë komunitetin. Kjo ngjarje kërkon reflektim të thellë dhe veprime konkrete.

KIRURGJIA BARIATRIKE: JO PROCEDURË KOZMETIKE, POR NDËRHYRJE ME RREZIK TË LARTË

Operacionet e ngushtimit të lukthit (sleeve gastrectomy, bypass gastrik) janë procedura të rënda që kërkojnë:
• përzgjedhje të kujdesshme të pacientëve,
• vlerësim të plotë para-operativ,
• standarde të larta të anestezisë dhe kirurgjisë,
• monitorim post-operativ të afërt,
• ndjekje klinike të vazhdueshme për muaj të tërë.

Fatkeqësisht, shumë pacientë nga Kosova dhe rajoni po i nënshtrohen këtyre operacioneve jashtë vendit, të joshur nga pakot promovuese, çmimet e ulëta dhe marketingu agresiv i disa klinikave private në Turqi dhe rajon. Atyre rrallë u prezentohen rreziqet reale, ndërlikimet e mundshme dhe kriteret e sakta mjekësore të përzgjedhjes.

Kirurgjia bariatrike nuk është turizëm mjekësor dhe as trajtim i shpejtë estetik. Ajo ndryshon tërë fiziologjinë e organizmit dhe mund të ketë komplikacione serioze si:
• hemorragji,
• dehiscencë e vijës së staplimit,
• fistula gastrike,
• emboli pulmonare,
• infeksione të rënda,
• dështime të shumëfishta të organeve.

Këto komplikacione kërkojnë trajtim emergjent, të cilin shumë klinika promovuese nuk e ofrojnë.
NEVOJA URGJENTE PËR INFORMIM DHE VETËDIJESIM Kjo tragjedi duhet të jetë një thirrje alarmi për të gjithë. Pacientët duhet të informohen saktë para se të vendosin për ndërhyrje të tilla jashtë vendit. Nuk mjafton një fotografi “para-dhe-pas”. Duhet vlerësuar: • kush e kryen operacionin? • cili është standardi i spitalit? • çfarë protokollesh ndiqen?
• a ofrohet mbështetje pas intervenimit?
• a ka kualifikim të vërtetuar dhe licencë ndërkombëtare?

Institucionet shtetërore, shoqatat mjekësore dhe profesionistët e shëndetësisë kanë detyrimin të ofrojnë udhëzime të qarta publike dhe të nxisin informim të drejtë, shkencor dhe transparent për rreziqet dhe alternativat.

A KEMI KAPACITETE NË VEND? PO, DHE DUHET T’U BESOJMË.

Kirurgjia moderne në Kosovë përparon çdo vit. Ekzistojnë mjekë të specializuar, pajisje adekuate dhe protokolle bashkëkohore që mund të ofrojnë trajtim të sigurt dhe ndjekje afatgjatë – element kyç në këto lloj ndërhyrjesh.

Shkuarja jashtë vendit nuk është zgjidhje magjike – as për ngushtim lukthi, as për shumë probleme të tjera shëndetësore. Sot kemi ekspertë të nivelit botëror në çdo fushë – edhe në mjekësi. Prandaj është e rëndësishme të kuptoni se komunikimi në gjuhën shqipe, gjuhën e nënës, është mënyra më e natyrshme për të shprehur shqetësimet dhe nevojat tuaja.
Ne, mjekët shqiptarë, ju kuptojmë më mirë në gjuhën tuaj, e ndjejmë dhimbjen tuaj dhe mundohemi të jemi sa më profesionalë dhe të përkushtuar në trajtimin tuaj. Sot flasim shqip, punojmë shqip dhe shërbejmë me dinjitet në gjuhën tonë.

Keni besim në shëndetësinë tonë. Ne jemi këtu për ju – me profesionalizëm, humanizëm dhe përkushtim.

PËRFUNDIM

Në shumë raste, rreziku rritet nga mungesa e koordinimit, ndjekjes së mëvonshme dhe dokumentacionit të qartë. Të mësojmë dhe të veprojmë, që tragjeditë të mos përsëriten.
Humbja e të riut nga Kaçaniku duhet të shërbejë si pikë kthese në mënyrën se si shohim ndërhyrjet e rënda kirurgjikale jashtë vendit. Duhet të forcojmë kontrollin, udhëzimet, informimin dhe kujdesin. Asnjë reklamë nuk vlen sa jeta e një njeriu. Asnjë hap nuk duhet bërë pa këshillim profesional.

Ngushëllime të sinqerta familjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për deputete e PDK-së me numër 60, Besa Ismaili,…