UÇK NË FJALIMIN HISTORIK TË UDHËHEQËSIT ALI AHMETI NË SHKUP

14 dhjetor 2025 | 18:52

Të dashur vëllezër e motra,
Të dashur bashkëluftëtarë dhe bashkëveprimtarë,
Shumë të dashura familje të dëshmorëve,
Shumë të respektuar dhe të respektuara invalidë dhe invalide të luftës!

Jemi mbledhur sot në Sheshin Skënderbeu, në sheshin e këtij burri që u bë digë për e kufijtë e Evropës, që Evropa të mos pushtohej nga osmanët!

Jemi mbledhur sot këtu, afër Hasan Prishtinës, Pjetër Bogdanit, Nexhat Agollit për të treguar se Hasan Prishtina u vra mu pikërisht për lirinë e kombit të vet!

Pjetër Bogdani i dha dije dhe filozofi Evropës!

Nexhat Agollin, regjimi e pushkatoi si minister, vetëm e vetëm pse kërkoi liri, drejtësi dhe barazi për popullin e tij!

Edhe tani sot ne, nuk themi se Evropa na kishte borxh, por themi: Evropë, Amerikë, NATO, faleminderit që filozofinë dhe veprimtarinë e njerëzve më të mëdhenj të kombit tonë, na e shpërblyet me përkrahjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me ndërprerjen e gjenocidit të mëtejmë ndaj shqiptarëve të Kosovës!

Prandaj, jemi mirënjohës për gjeneralin Clark, për dëshminë e tij të pamohueshme dhe të pakontestueshme!

Jemi mirënjohës për zëvendëssekretarin e shtetit James Rubin, si dhe për ambasadorin Christopher Hill, i cili punoi shumë në rajon për paqe dhe stabilitet!

Vëllezër e motra, nga ky shesh i drejtohemi edhe Evropës!

Unë i takoj lëvizjes studentore të vitit 1981!

I takoj asaj lëvizjeje që nuk kërkoi t’ua marrë dhe mohonte lirinë të tjerëve, por kërkoi liri dhe drejtësi për shqiptarët!

Shpërblimi ishte tortura, vrasja, burgosja, gjakosja dhe njëllosja e shuarja e lëvizjes së rinisë studentore shqiptare nga regjimi i Beogradit!

Me fyerjet më të mëdha, na quajtën terroristë, kriminelë, banditë, dhe ajo që ishte më e keqja – thuheshte kundër lëvizjes studentore!

Vazhdoi i tërë shtypi me vite, çdo shqiptar që kërkonte drejtësi dhe barazi, njëlloseshte e gjakatoseshte!

Ne besojmë te drejtësia!

Ne jemi ata të cilët vëzhgonim çdo lëvizje në hapësirat shqiptare!

Me të dalë njësitet e para të rezistencës, dolën qëndrimet nga më njerëzore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se ushtria do t’i respektonte të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftërat!

Respektoi vendimin se një ushtri guerile duhet të dallohej dhe vendosi simbolin e vet, që të dallohej se kush është Ushtria Çlirimtare e Kosovës – rregull ndërkombëtar, i respektuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës!

Ushtria Çlirimtare e Kosovës dënonte çdo veprim fashist, çdo veprim kundër popullatës civile!

Ushtria Çlirimtare e Kosovës e shpalli veten ushtri e popullit, vullnetare, që lufton për lirinë e popullit të vet!

Është e vërtetë e madhe se objektivin final nuk e arritëm të ndërtonim hierarkinë , prandaj nuk do të lejonim që akuzat që bëhen për shtëpinë e verdhë, akuza që bëhen për ndërmarrje të përbashkët kriminale të njëllosin historinë e luftës çlirimtare dhe e bijve e bijave më të mirë të kombit shqiptar!

Ky proces duhet të marrë epilogun e pafajësisë, sepse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarët që ndodhen prapa këtyre grilave, akuzohen për vepra të pabëra!

Tërë procesin e kemi përcjellë!

Mbase na dridheshte lëkura në shtat kur dëgjonim akuza që na i bënin dikur Beogradi dhe Moska si terroristë, kriminelë e banditë!

Ne e kemi dashur lirinë, por jo duke ia mohuar lirinë popujve të tjerë!

Ushtria jonë nuk ka qenë kundër asnjë populli, as kundër popullit serb!

Demonstrata e sotme nuk është kundër shtetit të Maqedonisë, sepse mu këta që ndodhen në këtë gjykatë kanë kontribuar në stabilitet, paqe dhe në të ardhmen pikërisht të këtij shteti, sepse kanë qenë drejtues institucionesh të rëndësishme: presidentë shteti, kryeministra, kryetarë kuvendi dhe sigurisht me dhjetëra e qindra marrëveshje kanë firmosur për një Maqedoni më prosperuese!

Nuk duhet të frikësohet askush nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, as nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare, as nga këta që janë sot këtu prezent me plagë në trup!

Këta nuk kanë luftuar kundër asnjë populli, por për liri, drejtësi dhe pavarësi të shtetit të vet!

Sot Kosova jonë është e pavarur!

Sot Kosova kontribuon për të pasur marrëdhënie më të mira me shtetet e rajonit!

Andaj, pafajësia kërkohet nga ky shesh i Skënderbeut, nga ky shesh i Hasan Prishtinës, nga ky shesh i Nexhat Agollit që braktisi gjithçka dhe humbi përgjithmonë vetëm e vetëm që shqiptarët të kenë barazi dhe drejtësi!

Nga ky shesh i Josif Bagerit, që nuk dihet ku i ka eshtrat nga pikërisht ato regjime që sot po përsëriten nga anti-shqiptarë më të mëdhenj!

U zhduk Josif Bageri!

U zhdukën shumë atdhetarë e çlirimtarë duke zbatuar politikat e Nikola Pashiçit: se “të pabindurit vritini”. “Vrisni të pabindurit”. Kështu veproi edhe Millosheviçi: “vritini shqiptarët”!

Kjo u deklarua me kompetencë të plotë nga gjenerali Clark, kur u pyet se si Millosheviçi kerkonte që ai ta zgjidhte problemin me shqiptarët – dhe në pyetjen e gjeneral Clark-ut se si do e zgjedhësh problemin, “si gjithmonë si i kemi vra, do i vrasim përseri”!

Kjo është politikë fashiste, naziste, quajeni si të doni!
Kur përballë një gjenerali të NATO-s Millosheviçi thotë: “ne dimë si t’i rregullojmë shqiptarët, do t’i vrasim që të gjithë”!

Këta djem, këta njerëz, këta luftëtar, këta bashkëluftëtarët tanë, nuk janë përgjegjës për vepra që nuk i kanë bërë!
Ata janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e popullit të vet dhe për t’iu kundërvënë politikave shfarosëse të Millosheviçit!

Prandaj, ne kërkojmë drejtësi për çlirimtarët, sepse libri i verdhë është me na shkel dhe me na mohu historinë më të re, më krenare dhe më të fortë të shqiptarëve: historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe historinë e shtetit të pavarur të Kosovës, se na qenka bërë shtet me luftë dhe angazhim të kriminelëve!

I tërë koncentrimi është aty që djemtë, ushtarët dhe këta drejtues të shtetit të pavarur të Kosovës, të akuzohen për vepra të pabëra!
Prandaj kërkojmë nga trupi gjykues – ata janë pjesëtarë të popujve që kanë luftuar edhe vetë për lirinë e tyre, trashëgimtarë të atyre janë, janë pjesëtarë që kanë luftuar dhe punuar për demokraci, ata janë patriotë!

Prandaj, udhëheqësve të Kosovës duhet t’u jepet mirënjohje dhe lavdatë nga kjo gjykatë, dhe jo të dënohen për vepra të pabëra!

Rroftë populli shqiptar!
Lavdi të rënëve për liri!
Faleminderit shumë për pjesëmarrjen tuaj në këtë demonstratë!

Ali Ahmeti,
Shkup, 13 Dhjetor 2025!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 27-vjetorit të rënies së 41 dëshmorëve të…