Shtatë të arrestuar gjatë aksionit kundër korrupsionit në Kosovë
Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi se kanë arrestuar shtatë persona gjatë aksionit policor të zhvilluar në Prishtinë, nën dyshimet për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje
“Gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar: F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.”, tha Prokuroria Speciale mbrëmjen e 18 dhjetorit.
Sipas saj, të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave. Ata janë dërguar në ndalim policor prej 48-orësh.
Gjatë këtij aksioni, Prokuroria tha se u sekuestruan rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme dhe pajisje elektrike.
“Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar në koordinim të plotë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale Kosovës”, u tha në njoftim.



