“Kena marshua nga Cahani për në Pashtrik në Kosovë, të ngarkuar me një peshë diku rreth 40 kg me municion e armatim. Pas orës 12 të mesnatës, kemi rënë në pritë”, tregoi i mbijetuari i sulmit, Samet Ballazhi.
Më të arritur tek “Te Likenet” në Gorozhup të Pashtrikut, u dëgjuan krismat e para.
Kwtu edhe u kuptua qw grupi kishte rënë nw një pritë të organizuar nga forcat serbe.
Kjo bëri që Mujë Krasniqi, t’u kthehet edhe një herë ushtarwve për konsultim.
“Bora ishte diku një metër dhe acar i madh. Pararoja vetëm se kishte rënë në pritën e forcave serbe, ku vritet Qenë Qena, me urdhrin e komandant Mujës, jemi kthyer diku 100-150 metra prapa dhe jemi ndal dhe në konsultim nga do të shkojmë a do të kthehemi apo do të vazhdojmë, morëm vendim të kthehemi prapa. Forcat serbe i kishim 15-20 metra pas shpines, dhe kur kemi filluar të marshojmë sërish për në Shqipëri, kanë filluar gjuajtjet me granata dore, mitrolezë, kallashnikovë, snajperka. Luftimet kanë zgjatur 5-6 orë, disa u vranë, disa u plagosën, disa u tërhoqën”, deklaroi ai.
Nga dëshmorët e parë që ranë në këtë betejë, ishte Veli Ballazhi. Por, kushëriri i tij, Sameti, nuk e pati këtë fat.
Ky i fundit, ishte në mesin e 9 ushtarëve të UÇK-së, të cilët u zunë rob nga forcat serbe.
“Gjatë luftimeve unë plagosëm me granatë dorë dhe mbes pa vetëdije, pastaj kur jam çua, e kam pa që forcat serbe na kishin arrestuar. – E kishin dhezë një zjarr me ata që i kishin arrestuar me herët. Serbët ma kanë lidh varrën për shkak të gjakderdhjes dhe nga aty na kanë dërguar në burgun ushtarak të Prizrenit ku kemi qëndruar tri ditë dhe nga aty na kanë dërguar në burgun ushtarak të Nishit”, deklaroi ai.
Ballazhi për Tëvë1, ka thënë se në situatat e tilla, vdekja ishte më e lehtë.
“Në ato momente të luftimit, i kërkoja Zotit të më godiste plumbi më shpejt e të pushoj, sepse ishte lodhje e madhe, ftohti dhe nuk e paramendonim të na kapnin të gjallë”.
Më pas, fillimisht në Prizren e më pas edhe në burgun ushtarak të Nishit, 9 ushtarët e lirisë i përjetuan trajtimet me çnjerëzore.
“Një gardian i burgut (në Nish) tha: Ballazhi, mbledhi teshat se duhet me iu largua nga këtu. Unë e pyeta ku jemi duke shkuar? Tha po ju çojmë me ju pushkatua. Mu mu qesh, i thashë ma mirë me na pushkatua sesa me nejt me juve. Atëherë na lidhen dhe na hipën në autobus”.
9 ushtarët e zënë rob, mes tyre edhe një grua, u liruan vetëm falë një marrëveshje për këmbimin e robërve të luftës.



