36 vjet LDK, Abdixhiku: LDK-ja nuk ishte thjesht organizim politik, ushte besëlidhje popullore

23 dhjetor 2025 | 14:02

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar të martën 36-vjetorin e themelimit.

Në një organizim me anëtarë dhe simpatizantë në Prishtinë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se 36 vjet më parë, në një kohë represioni dhe errësire, lindi ideja më e madhe politike e Kosovës. Lindi Lidhja Demokratike e Kosovës, projekti i lirisë, i pavarësisë dhe i demokracisë.

“LDK-ja nuk ishte thjesht organizim politik. Ishte besëlidhje popullore. Ishte guxim. Ishte vizion. Ishte rruga e vetme drejt shtetit. Nën udhëheqjen e atit themeltar të Republikës, presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, kjo ide u shndërrua në rezistencë paqësore, në organizim shtetëror, në aleancë me botën demokratike; së këndejmi dhe në vet themelet e Republikës sonë. Liri, pavarësi, demokraci – mbetet programi politik më i suksesshëm i popullit tonë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se sot nderojnë me respekt të thellë të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në çdo periudhë dhe në çdo nivel, të gjithë ata burra e gra që i qëndruan besnikë kësaj shtëpie të demokracisë në kohët më të vështira dhe në kohët e shpresës.

“Nderojmë secilin anëtar e veprimtar që dha kohën, dijen, energjinë dhe jetën e vet në shërbim të Kosovës. Dhe me përulje të veçantë, nderojmë ata që dhanë më të shenjtën për këtë shtëpi të demokracisë dhe për Republikën tonë, duke u flijuar për lirinë dhe shtetin. Sot, në dekadën e katërt të ekzistencës sonë, përgjegjësia jonë është më e madhe se kurrë. Jo për fatin e një partie, por për fatin e Kosovës. Për orientimin e saj perëndimor. Për unitetin e brendshëm. Për zhvillimin, normalitetin dhe shpresën. LDK-ja ka qenë dhe mbetet parti e shtetit, jo e pushtetit. Parti e dorës së shtrirë, e bashkimit dhe e përgjegjësisë historike”, ka thënë Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fituesi i edicionit të parë të Big Brother VIP Kosova,…